Please enter at least 3 characters.

Kurti për presidentin konsensual: I hapur për bisedime me emra konkretë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka përsëritur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje se presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë një figurë konsensuale, e mbështetur nga një shumicë sa më e gjerë parlamentare dhe shoqërore.

Kurti tha se LVV-ja dëshiron të arrijë marrëveshje me partitë e tjera politike për zgjedhjen e presidentit, me synimin që të shmangen zgjedhjet e reja.

“Ju e keni parasysh që qëndrimi i LVV-së si fituese e zgjedhjeve është që presidenti/ja i ardhshëm të jetë konsensual me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull. Të jetë personalitet që ka merita dhe kontribut, vlera kombëtare qytetare, por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e shoqëri dhe përveç kësaj dëshirojmë të merremi vesh në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet e reja”, tha ai.

Sipas tij, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe formimi i qeverisë nuk paraqesin sfidën kryesore, ndërsa çështja më e vështirë mbetet zgjedhja e presidentit.

“Zgjedhja e kryetarit, formmimi i qeverisë nuk janë sfida, sfidë është zgjedhje e presidentit. Jemi duke bërë hapa që të vijmë te emri i presidentit”.

Kurti tha se LVV-ja është e gatshme për diskutime të gjera me partitë politike për të gjetur një kandidat që do të ishte jashtë skenës së përditshme politike dhe që do të mund të shërbente si figurë unifikuese.

“Jemi të hapur për të bërë diskutime shteruese që të vijmë deri tek emri apo emrat, të cilët do t’ju japim nënshkrimet të kandidojnë dhe të zgjidhen më pastaj. Dikush që është jashtë skenës aktuale politike, jashtë polemikave ditore partiake dhe që është figurë unifikuese, sepse në Kushtetutën e Kosovës shkruan që Presidenti i Republikës duhet të jetë shprehje e unitetit të popullit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Vetëvendosje i ka ofruar LDK-së pozitën e kryetarit të Kuvendit, ndërsa sipas tij, partia që ai drejton tashmë ka hequr dorë nga dy prej tri pozitave të larta shtetërore.

“Ne ja kemi ofruar Lidhjes Demokratike të Kosovës kryeparlamentarin, kryetarin e Kuvendit. Gjithashtu kam deklaruar edhe në takime, edhe jashtë tyre, që ne jemi për president konsensual. Pra, nga tri pozita të larta shtetërore, Vetëvendosja tashmë ka zbritur në vetëm një — te kryeministri. Presidenti konsensual, kryeparlamentarin LDK-ja”, ka thënë ai.

Ai kritikoi LDK-në për refuzimin e kësaj oferte, duke thënë se pozita e kryetarit të Kuvendit është konsideruar nga kjo parti si ceremoniale.

Kurti iu referua edhe deklaratës së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se partia do të qëndrojë në opozitë, duke thënë se do të preferonte që LDK-ja të bëhej pjesë e bashkëqeverisjes.

“Pozita e kryetarit të Kuvendit është refuzuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është konsideruar ceremoniale. Unë besoj që është dashur që ta marrin atë pozitë. E ndjeka edhe mbrëmë qëndrimin e deklaratën publike të mikut tim, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha që LDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje, ta kemi një marrëveshje politike”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu tha: “Nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve 53 me 18, por edhe deformimi i rezultatit nuk mund të jetë. Pra, me 18 deputetë ta marrësh kryetarin e Kuvendit nuk është pak”.

Tutje Kurti shtoi se kur e panë që nga LDK nuk janë të interesuar për kryetarin e Kuvendit “oferta jonë qysh në pranverë është ripërsëritur tani”.

“ Me fjalë të tjera, nëse Vetëvendosja do ta kishte kandidatin për president — e ju e dini që ishte Glauk Konjufca — atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës ta marrë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri. Ndërkaq, nëse kandidati për president është konsensual, ta marrë zëvendëskryeministrin dhe tri ministri”, ka thënë Kurti.

Sepse, siç tha ai Vetëvendosja po heq dorë prej presidentit dhe ta ketë zëvendëskryeministrin e tri ministri.

“E nëse është Glauku, zëvendëskryeministrin e katër ministri”, ka deklaruar ai.Kurti ka përshëndetur gjithashtu thirrjen e Abdixhikut që në diskutimet për presidentin të përfshihen edhe partitë e tjera politike.“Tash, unë e përshëndes thirrjen e kryetarit Abdixhiku që edhe partitë e tjera — gjithëpërfshirës të jetë presidenti, pra të mos jenë veç dy subjekte, vetëm Vetëvendosja edhe vetëm LDK-ja, të jenë edhe të tjerët”, ka thënë ai. /Telegrafi/