Please enter at least 3 characters.

Kurti pas mbledhjes së Grupit parlamentar të LVV-së: Marrëveshja me LDK-në qëndron, por gjashtë deputetët e saj kanë krijuar situatë të re

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për zhvillimet e fundit politike pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LVV-së, duke komentuar marrëveshjen e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidaturën konsensuale të profesorit Bekim Sejdiu për president të Republikës.

Kurti tha se të gjithë deputetët e Grupit Parlamentar të LVV-së e kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur me LDK-në dhe se mbështetja për të ka qenë e plotë.

“Patëm një mbledhje me Grupin Parlamentar të LVV-së. Të gjithë e mirëpritën marrëveshjen që kemi arritur me LDK-në, me emrin e përbashkët të kandidatit konsensual, profesor Bekim Sejdiu. Unë isha shumë i lumtur që mbështetja ishte e plotë nga të gjithë deputetët e grupit tonë parlamentar”, deklaroi Kurti.

Megjithatë, ai tha se zhvillimet e fundit kanë krijuar një situatë të re politike, pasi gjashtë nga 12 deputetët e LDK-së kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut për president.

“Kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të fundit. Në njërën anë ishte shpresëdhënëse mbledhja e Kryesisë, ndërsa më pas patëm njoftimin negativ se gjashtë deputetë, nga 12 sa i ka LDK-ja, nuk e mbështesin Bekim Sejdiun si president të Republikës”, tha ai.

Sipas Kurtit, kjo rrethanë e re kërkon veprime të mëtejshme politike. Ai bëri të ditur se planifikon të takohet sërish me kryetarin e LDK-së, ndërsa më pas çështja do të diskutohet edhe në Kryesinë e LVV-së.

“Kjo është një situatë e re që kërkon, në njërën anë, që të takohem sërish me kryetarin e LDK-së dhe, në anën tjetër, që të kthehem në Kryesinë e LVV-së për të diskutuar rrethanën e re politike dhe rrugën që duhet të ndjekim”, u shpreh Kurti.

Kryetari i LVV-së kritikoi gjashtë deputetët e LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin Sejdiun.

Ai e cilësoi këtë qëndrim si të dëmshëm dhe të papërgjegjshëm, duke paralajmëruar se një situatë e tillë mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Për bindjen time të fuqishme, në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar e konsiderojmë të dëmshme, të papërgjegjshme, absurde një sjellje të tillë të këtyre gjashtë deputetëve, ku pas tri palë zgjedhjesh duket që ka dëshirë, vullnet dhe interes që të shkojmë në zgjedhjet e katërta për më pak se dy vjet”, deklaroi Kurti, përcjell Telegrafi.

Ai tha se qytetarët e Kosovës kanë dhënë mesazhin e tyre në tri palë zgjedhjet e fundit dhe se, sipas tij, nuk do të duhej që vendi të shkonte sërish në zgjedhje pa një arsye dhe nevojë të qartë.

“Qytetarët kanë folur qartë në tri zgjedhjet e fundit. Nuk do të duhej që pa arsye dhe pa nevojë të shkojmë përsëri në zgjedhje, të cilat janë të dëmshme për stabilitetin institucional”, tha Kurti.

Ai tha se marrëveshja politike me LDK-në vazhdon të qëndrojë, pavarësisht qëndrimit të gjashtë deputetëve të kësaj partie, të cilët kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin Sejdiun për president.

“Marrëveshja politike që kemi bërë me LDK-në qëndron, por çfarë të bëjmë që kishim qëndrimin e këtyre gjashtë deputetëve. Duket qartë se nuk e kanë kundër Bekim Sejdiun, sa e kanë kundër qeverisë që unë e udhëheq”, deklaroi Kurti.

Ai bëri të ditur se kandidati i LVV-së për president vazhdon të jetë Bekim Sejdiu, ndërsa theksoi se pas zhvillimeve të fundit nuk mund të ndërmarrë hapa të tjerë pa zhvilluar takime me drejtuesit e të dyja partive.

“Për LVV-në kandidati për president është Bekim Sejdiu. Po e përsëris që duhet të takohem me kryetarin e LDK-së, por edhe me Kryesinë e LVV-së, pasi situata ka ndryshuar. Nuk mund të ndërmarr asnjë hap pa u takuar me kryetarin Abdixhiku dhe Kryesinë e LVV-së. Besoj në vullnetin e sinqertë të Abdixhikut dhe në interesin e përgjithshëm të qytetarëve që të mos të shkojmë në zgjedhjet e përsëritura. Pra zgjedhjet e katërta me radhë për më pak se dy vjet po na kërcënojnë për shkak të papërgjegjësive së disave”, tha Kurti. /Telegrafi/