Kurti njofton për themelimin e një instituti kërkimor për energjinë, Prizreni propozohet si lokacion
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot është diskutuar për themelimin e një instituti kërkimor për energjinë, i cili synohet të shërbejë si qendër për hulumtime dhe ekspertizë në këtë sektor.
Kurti ka thënë se energjia tashmë është shndërruar në një sfidë globale dhe se Kosova në vitet e ardhshme do të përballet me vendime të rëndësishme sa i përket projekteve, kostove dhe mënyrës së financimit të tyre.
“Sot, në Zyrën e Kryeministrit, diskutuam për themelimin e një instituti kërkimor për energjinë. Ky sektor tashmë është shndërruar në sfidë globale dhe vitet përpara do të na sjellin një varg vendimesh të mëdha në këtë fushë, nga projektet që duhet e do t’i ndërtojmë, te kostot e tyre dhe mënyra e financimit”, ka shkruar Kurti.
Sipas Kurtit, vendimet në sektorin e energjisë kërkojnë hulumtime, përllogaritje dhe burime njerëzore me ekspertizë.
“Këto vendime kërkojnë hulumtim, përllogaritje dhe mbi të gjitha burime njerëzore që kanë ekspertizë në këtë lëmi”, tha kryeministri në detyrë.
Ai ka theksuar se Kosova deri më tani ka pasur mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë dhe ka bashkëpunuar me ekspertë vendorë e të huaj në projekte të ndryshme, ndërsa tash nevojitet vazhdimësia institucionale.
“Ajo çfarë aktualisht na duhet është vazhdimësia institucionale për të ruajtur përvojën dhe dijen nga projektet e ndërtuara dhe ato në zhvillim”, u shpreh ai.
Kurti ka bërë të ditur se instituti mund të shërbejë edhe si adresë për angazhimin e profesionistëve nga diaspora, ndërsa si lokacion të mundshëm ka përmendur Prizrenin.
“Ky institut do të mund të jetë adresa e angazhimit të shumë inxhinierëve dhe hulumtuesve sa vendorë aq edhe të tillë që kemi në Gjermani, Zvicër e Austri, e gjithandej në mërgatë, të cilët duan të kontribuojnë për Kosovën. Vendi i propozuar është Prizreni, në Parkun për Inovacion dhe Trajnim. Prizreni ka studentë, ka hapësirë dhe ka një ambient që tashmë është në funksion”, tha Kurti.
Në diskutimin për konceptin e institutit, sipas Kurtit, kanë marrë pjesë profesorë, hulumtues, përfaqësues të industrisë dhe partnerë ndërkombëtarë.
“Pjesë e diskutimit të sotëm për konceptin e institutit ishin profesorë, hulumtues, njerëz nga industria dhe partnerë ndërkombëtarë”.
Në fund, Kurti ka falënderuar ministritë përkatëse dhe partnerët gjermanë për punën e bërë deri më tani. /Telegrafi/


