Kurti kujton takimin e fundit me Eqrem Kryeziun: Përveç si politikan, dha kontribut të madh edhe në arsim
Sot në moshën 78-vjeçare ka ndërruar jetë ish-politikani, ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Eqrem Kryeziu.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar takimin e fundit me të në dhjetor të 2025.
“Sot, në moshën 78-vjeçare, ka vdekur Prof. Eqrem Kryeziu. Herën e fundit që u takuam në shtëpinë e tij në Prizren, ishte nga fundi i dhjetorit të vitit 2025. Diskutuam shtruar e këndshëm për atë ç'ka qenë dhe si është Kosova.
Vullneti njerëzor dhe kthjelltësia mendore ia tretnin çdo vështirësi shëndetësore. Si ngahera, e kishte të pamundur të thoshte fjali të rëndomta; një lloj mendimi të thellë dhe të qartë njëkohësisht e kishte për standard bisede.
Përveç si politikan përherë në shërbim të Prizrenit, Eqrem Kryeziu zhvilloi një karrierë të gjatë e dha një kontribut të madh në arsim dhe akademi, si profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Ish-kryetari i Prizrenit, deputeti nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, i takon një gjenerate dhe një kohe kur të merreshe me politikë nënkuptonte të angazhoheshe vazhdimisht, me gjithçka e për çdo gjë.
Libri i tij që ma dhuroi më pas “Poetika e Zef Skiroit” është i jashtëzakonshëm.
U prehtë në paqe!”, shkruan Kurti. /Telegrafi/


