Please enter at least 3 characters.

Kurti: Çdo biznes i udhëhequr nga gratë kontribuon në ndërtimin e një ekonomie më të fortë dhe më të qëndrueshme

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në konferencën “Gratë në Biznes – She Rises”, tha se gratë që kanë zgjedhur të investojnë, të ndërmarrin iniciativa biznesore dhe të udhëheqin kompani po japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kurti theksoi se çdo biznes i udhëhequr nga gratë dhe çdo vend i ri pune që ato krijojnë kontribuon në ndërtimin e një ekonomie më të fortë dhe më të qëndrueshme.

Ai vlerësoi gjithashtu progresin e grave në jetën politike, duke thënë se vitet e fundit Kosova ka parë gjithnjë e më shumë gra që udhëheqin me dije, profesionalizëm dhe kompetencë të lartë.

Sipas tij, ky progres në skenën politike është dëshmi se kur grave u jepet hapësira dhe mundësia e nevojshme, ato arrijnë rezultate të rëndësishme dhe kontribuojnë në avancimin e shoqërisë.

Ai theksoi se një grua ekonomikisht e pavarur është një shtyllë e fortë për familjen, komunitetin dhe shoqërinë në tërësi.

Kryeministri shtoi se institucionet janë kujdesur që mbështetja për gratë të mos mbetet vetëm në nivel deklarativ, por të shoqërohet me masa konkrete përmes subvencioneve dhe lehtësimit të qasjes në financa

Ndërkaq, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila sot në konferencën “Gratë në Biznes – She Rises”, vlerësoi progresin e grave në shoqëri dhe në botën e biznesit, duke theksuar se roli i tyre ka qenë vendimtar në periudhat më të vështira për vendin.

Në fjalën e saj, Kusari-Lila tha se gratë kanë mbajtur gjallë shpirtin e popullit në kohë sfiduese dhe se askush nuk ka mundur t’ua marrë vullnetin, përkushtimin dhe forcën për të ecur përpara.

Ajo theksoi se pjesëmarrja e grave në biznes ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke kaluar nga 10 për qind në vitin 2017 në 18 për qind sot, çka sipas saj dëshmon për përparimin e arritur në fuqizimin ekonomik të grave.

“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë. Sot sjellim histori pune, përkushtimi dhe vizioni, por edhe histori suksesi që tregojnë se kur grave u jepet mundësia, ato arrijnë rezultate të jashtëzakonshme”, tha ministrja.

Kusari-Lila vlerësoi se rruga e grave drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë, por theksoi se sot ato qëndrojnë si dëshmi e potencialit, aftësive dhe kontributit të tyre në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Sipas saj, konferenca “She Rises” synon të promovojë dhe mbështesë ngritjen e grave në ndërmarrësi, duke krijuar hapësira për rrjetëzim, shkëmbim përvojash dhe fuqizim të mëtejshëm ekonomik të grave në Kosovë. /Telegrafi/