Please enter at least 3 characters.

Kujtime nga ditari i Franc Kafkës, për Aleksandër Moisiun

2018/01/Kafka.jpg

Nga: Moikom Zeqo

Franc Kafka (Franz Kafka) e ka njohur dhe ka qenë adhurues i aktorit Aleksandër Moisiu. Në “Ditarin e tij” Kafka flet për Moisiun për përshtypjet e një takimi në 28 shkurt 1912:

“3 Mars. Më 28 shkurt isha tek Moisiu.Ka një paraqitje jo të natyrshme. Rrinte ulur dhe në dukje dukej i qetë; vetëm duart i mbante zakonisht të bashkuara përmbi gjunjë, sytë ia ngulte librit dhe lëshonte zërin e tij që i ngjasonte atij të një njeriu që është duke vrapuar.Salla kishte akustikë të mirë.Nuk humbiste asnjë fjalë edhe po të ishte vetëm pëshpërimë! Gjithçka zgjerohej pak nga pak sikur vijonte jehona e zërit e cila bashkohej me të tjera gjëra dhe na mbyllte edhe ne në qarkun e saj.Në këtë rast mund të vësh re mundësitë që ka zëri.Ashtu si salla punon për zërin e Moisiut, ashtu edhe zëri i tij punon për ne.Ka në të artifise vulgare dhe befasime që na detyrojnë të shohim përtokë po ne nuk vepronim në atë mënyrë; kështu ndodhte p.sh. që në vargjet e para ‘Flej, Miriam, vajza ime’; kur zëri endet nëpër melodi; tek shqiptimi i shpejtë i Këngës së Majit ku ngjasonte sikur në mes të fjalëve ishte futur vetëm maja e gjuhës; tek ndarja e fjalëve tek poezia “Era e nëntorit” në mënyrë që era të shtyhej në fillim poshtë e më pas të vërshëllente lart.Ai që ngre sytë nga tavani i sallës e ndjen veten të lartësuar nga vargjet.Poezitë e Gëtes nuk janë arritur nga recituesi po ama s’gjen dot asnjë gabim tek recitimet e tia dhe aty gjithçka ndikon për t’ia arritur qëllimit.Përftoi efekt të madh kur ai shtoi në program ‘Këngën e shiut’ të Shekspirit dhe brofi në këmbë, u çlirua nga teksti duke nderë dhe tutluar shaminë në mes të duarve dhe nxirrte vetëtima nga sytë.Mollëzat i ka të rrumbullakta po fytyrën eshtake.Flokët i ka të buta, dhe i shtron pareshtur me lëvizje të ngadalta të dorës.Për të kishim lexuar artikuj entuziastë; këto i shërbejnë derisa e dëgjojmë për herë të parë, më pas ai pështjellohet dhe nuk mund të përftoj një mbresë të kulluar.Mënyra si reciton i ulur me librin përpara, të kujton paksa një ventrilok.Artisti, i ftohtë nga ana e jashtme, ulej para meje në mënyrë që thuajse nuk dallojmë dot fytyrën e përkulur, lëvizjet e buzëve dhe në vend që të flasë ai, duket se flasin vargjet përmbi kokën e tij.Megjithëse dëgjoheshin melodi të ndryshme dhe zëri rrëshqiste si një barkë përmbi ujëra, nuk dëgjohesh melodia e vërtetë e vargjeve.Disa fjalë shpërbëheshin nga zëri; ato ishin rrokur në mënyrë të brishtë dhe lulëzonin dhe s’kishin asgjë të përbashkët me zërin e njeriut derisa zëri shqiptonte fort ndonjë bashkëtingëllore të ashpër, e mbështeste fjalën në tokë dhe i jepte fund recitimit”.

Franc Kafka jep kështu përshtypjet e tij me një veprimtari recitimi të drejtpërdrejtë me Aleksandër Moisiun. Nuk është një dëshmi e dëgjuar nga të tjerët, por është dëshmi autentike e vetvetes.

Kafka e përshkruan talentin recitues dhe interpretues të Moisiut si atë të një vetriloku! Kjo më duket e çuditshme, por edhe e pranueshme. Ventrilokut i vjen zëri nga thellësia e brendshme e barkut dhe pa i lëvizur buzët. Ky është një shpjegim mjeshtërie! Dhe Moisiu ishte vërtet një mjeshtër. /Telegrafi/