Please enter at least 3 characters.

KRU “Mitrovica” njofton për intervenime në rrjet, ndërprerje të ujit në disa zona

KRU “Mitrovica” ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes do të realizojnë intervenime në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit në disa lokacione të Mitrovicës dhe fshatrave përreth.

Punimet në rrjetin e ujësjellësit do të zhvillohen në rrugët “Dëshmorët e Kombit”, “Isak Ibrahimi”, “Tish Daija”, “Lumi” në Vaganicë, si dhe në fshatrat Zasellë, Vërnicë dhe Rahovë. Intervenime do të ketë edhe në rrugët “Karadjordjeva” dhe “Drvarska”.

Ndërsa, në rrjetin e kanalizimit do të punohet në rrugët “Kumanova”, “Ali Pashë Tepelena”, “Brdjani” dhe “Nemanjina”, si dhe në fshatin Vaganicë.

KRU “Mitrovica” ka paralajmëruar se gjatë realizimit të punimeve mund të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë.

Konsumatorët janë njoftuar gjithashtu se pas rikthimit të furnizimit, uji mund të paraqitet përkohësisht i turbullt. Në këtë rast, rekomandohet që uji të lihet të rrjedhë për disa minuta, derisa të kthjellohet. /Telegrafi/