KRU “Hidrodrini” zhvillon aksion çkyçjesh në Istog ndaj keqpërdoruesve të ujit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë, Njësia Operative në Istog, ka zhvilluar një aksion për çkyçjen e konsumatorëve që dyshohet se kanë keqpërdorur ujin e pijes në rajonin e Istogut.
Sipas njoftimit, inspektorët e kompanisë kanë ndërmarrë këtë aksion si pjesë e aktiviteteve të rregullta të KRU “Hidrodrini”, veçanërisht gjatë sezonit të thatësirave, me qëllim sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë për konsumatorët e rregullt.
“Inspektorët e KRU ‘Hidrodrini’, kanë zhvilluar aksion çkyçjesh ndaj konsumatorëve keqpërdorues të ujit të pijes në rajonin e Istogut”, thuhet në njoftim.
Nga kompania është bërë e ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të ujit.
Po ashtu, KRU “Hidrodrini” ka paralajmëruar se aksionet do të shtrihen në të gjitha komunat që janë pjesë e zonës së saj të mbulueshmërisë.
Në fund të njoftimit, kompania ka bërë thirrje për përdorim racional të ujit, duke theksuar se “uji është jetë” dhe duhet të përdoret me përgjegjësi nga të gjithë konsumatorët. /Telegrafi/


