KQZ: Deri në orën 13:00 votuan 38.97 për qind e votuesve në përfaqësitë diplomatike
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në konferencën e dytë me radhë tha sot se procesi i votimit po zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, që gjenden në 18 shtete të ndryshme.
Elezi njoftoi se me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
“Procesi i votimit është duke u zhvilluar në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të cilat ndodhen në 18 shtete të ndryshme. Sipas të dhënave nga 26 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 38.97 për qind e tyre apo 10,804 votues”, bëri të ditur ai.
Zëdhënësi i KQZ-së tutje njoftoi se vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësitë diplomatike do të mund të votojnë sot gjatë ditës pasi në listën e votuesve që janë dërguar në përfaqësitë diplomatike janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës.
Ndryshe, votimi po zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.
Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 27,724 votues.
Konferenca e radhës e KQZ-së lidhur me procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike do të mbahet në orën 20:00. /Telegrafi/


