Please enter at least 3 characters.

Kosova, me strategji kundër ekstremizmit

2016/01/kosova-me-strategji-kund-euml-r-ekstremizmit_hd.jpg

Bota është e interesuar për modelin kosovar të shtet-ndërtimit dhe parandalimit të ekstremizmit, por ne duhet të rrisim kapacitetet, njohuritë dhe rrjetëzimin tonë të brendshëm dhe të jashtëm që do ta adresonin një nga rreziqet më potente për vetë ekzistencën e shtetit kosovar.

Viti 2015 filloi me një fokus të lartë global në çështjen e luftimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Sulmet e tmerrshme në Paris në redaksinë e gazetës Charlie Hebdo, pastaj sulmi vdekjeprurës në një librari në Kopenhagë janë dëshmi të qarta që konflikti në Lindjen e Mesme, por edhe problemet ekonomike dhe të integrimit social në Evropë kanë filluar të krijojnë probleme të qarta të sigurisë edhe në demokracitë e etabluara evropiane.

Kosova ka qenë pjesë e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që nga periudha e pasluftës. Në kohën e pas shpalljes së pavarësisë, çështja e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit u shndërrua në një nga sfidat më të rëndësishme që prekin interesat nacionale të shtetit të Kosovës. Ekstremizmi krijon probleme të natyrës së sigurisë së brendshme, por është edhe problem i politikës së jashtme kosovare.

Kosova është shtet sekular ku feja dhe shteti janë të ndarë me një mur kushtetues të ngjashëm me shumicën e shteteve evropiane, por është edhe një shtet i ri me një popullatë që shumica deklarohet si myslimane. Kjo jep një peizazh divers dhe shumë interesant fetar e etnik dhe do të duhej të konsiderohet si një begati. Por kriza financiare dhe lodhja me zgjerimin e BE-së ka ndryshuar perspektivat politike në shtetet e BE-së dhe NATO-s. Rritja e partive të djathtës ekstreme evropiane dhe ndikimit të tyre parlamentar, ndryshimi i diskursit të mediave evropiane, por edhe propaganda e qëllimshme zyrtare serbe që tash e 20 vite trumbeton rrejshëm “rrezikun e trekëndëshit mysliman Bosnje – Sanxhak – Kosovë” mund të rrezikon rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve Euro-Atlantike.

Pas nënshkrimit të MSA-së, çdo hap i ardhshëm i integrimit të Kosovës kërkon edhe ratifikime të parlamenteve të 28 shteteve të BE-së. Në këtë rast, Kosova ka dy sfida të politikës së jashtme, e para është njohja nga 5 shtete dhe tjetra është paragjykimi që është ndërtuar në disa shtete për “rrezikun” nga Kosova dhe Shqipëria. Rreziku kryesor që perceptohet në shtetet evropiane është terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Rreziku i brendshëm në Kosovë është poashtu i rëndësishëm. Deri më tani Kosova ka qenë e izoluar nga sulmet e dhunshme ekstremiste. Shumica e sulmeve terroriste të kosovarëve janë zhvilluar jashtë shtetit të Kosovës nga kosovarë që, ose kanë dështuar të integrohen si refugjatë në shtetet mikpritëse, apo ata që kanë udhëtuar si xhihadistë në luftërat e Lindjes së Mesme. Duke qenë shtet me popullsi të vogël, sulmet e kosovarëve kanë qenë disproporcionalisht të larta: në Gjermani, SHBA, Siri dhe Irak ka pasur sulme vdekjeprurëse nga terroristë me prejardhje kosovare, ku kanë vdekur me dhjetëra civilë apo ushtarë të shteteve partnere të Kosovës. Në Kosovë ka pasur incidente si sulmet kundër revistës Kosovo 2.0, si dhe sulme individuale të grupeve të vogla ekstremiste kundër imamëve të veçantë që kundërshtojnë narracionin ekstremist.

Është poashtu me rëndësi të potencohet se rreziku ekstremist nuk është vetëm islamist. Grupet klerofashiste të së djathtës ekstreme ortodokse poashtu janë rrezik për Kosovën, siç kemi parë nga incidente sporadike ku përzihet politika etnike, siguria shtetërore dhe konflikti i vjetër shqiptaro-serb. Është obligim kushtetues i të gjitha institucioneve të parandalojnë sulmet ekstremiste që do të krijonin përçarje fetare apo etnike, sepse këto do të ishin shkatërruese për stabilitetin e brendshëm të Kosovës.

Kosova ka marrë hapa të nevojshëm në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Janë arrestuar me dhjetëra terroristë të dyshuar apo edhe avokues të luftërave të ISIS’it dhe grupeve tjera terroriste. Kuvendi është në rrugë të mirë të aprovoj në tërësi Ligjin kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja. Ky instrument ligjor do të jep mundësi të mira parandalimi të shkuarjes së kosovarëve në këto luftëra.

Por, lufta policore dhe gjyqësore nuk mjafton. Të dhënat empirike thonë se mbi 90% të pjesëmarrësve evropianë në luftërat e ISIS’it janë më të rinj se 24 vjeç. Në disa shtete, mbi 90% të tyre janë rekrutuar nëpërmjet rrjeteve sociale si Facebook. Parandalimi i radikalizmit të këtyre të rinjve është shumë më i rëndësishëm se gjetja e ilaçeve ligjore që adresojnë rrezikshmërinë e tyre pasi që të radikalizohen.

Prandaj Kosova është në proces të hartimit të një strategjie gjithëpërfshirëse që angazhon tërë shtetin dhe tërë komunitetin në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Kemi nevojë për ndihmën e prindërve që janë shtylla kryesore mbrojtëse kundër radikalizmit – tek e fundit asnjë nënë nuk dëshiron ta sheh djalin apo vajzën të vrarë në shkretëtira të huaja. Duhet të angazhohen shkollat dhe duhen të angazhohen edhe liderët fetarë.

Fatkeqësisht shumë shpesh, inspirimi fillestar për radikalizëm fetar vjen nga një pakicë e liderëve fetarë që përdorin gjuhë të urrejtjes në mënyrë të papranueshme në vende që do të duhej të ishin të shenjta dhe të dashurisë ndaj njëri-tjetrit, pra në xhamia apo kisha. Duhet poashtu të rrisim prezencën dhe fuqinë e narracionit progresiv në internet dhe faqe të rrjeteve sociale. Kosova është vonuar në adresimin e gjuhës që po përdoret në portale dhe rrjete sociale dhe prokurorët kanë qenë hezitues apo jo mirë të informuar të iniciojnë raste të kërcënimit të rendit kushtetues që kanë filluar mu në faqe të internetit.

Poashtu, duhet vazhduar dhe rritur investimet në promovimin e dialogut ndërfetar dhe promovimit të modelit të tolerancës shekullore që ka qenë prezentë në Kosovë si një mjet të mirë të mbrojtjes së vlerave të trashëguara me gjenerata dhe ndërtimit të një imazhi më të mirë të Kosovës.

Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet patjetër të ndërlidhet edhe me përmirësimin e dialogut të brendshëm shoqëror dhe sidomos krijimit të vendeve të reja te punës. Shpesh, ata që radikalizohen vijnë nga shtresa më të varfra dhe më pak të arsimuara të shoqërisë. Ekonomia më e mirë do të jetë kyçe për cementitin e agjendës së vërtetë evropiane në Kosovë dhe thyerja e izolimit të të rinjve nëpërmjet liberalizimit të vizave është poashtu një mënyrë e mirë e hapjes së mendjeve të tyre.

Të gjitha këto elemente, si dhe shumësia e studimeve empirike të bëra në botë në këtë fushë, dëshmojnë se Kosova ka nevojë për një qasje gjithëpërfshirëse që angazhojnë tërë qeverisjen dhe tërë shoqërinë e vendit. Në këtë muaj, Republika e Kosovës është ftuar të marrë pjesë aktive në dy evenimente të rëndësishme të organizuara në Uashington DC, të aleancës globale kundër radikalizmit fetar. Fillimisht Kosova ishte pjesëmarrëse aktive në Samitin ministrial të Shtëpisë së Bardhë për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa këtë javë delegacioni i Kosovës poashtu ishte ftuar të marrë pjesë në Forumin Global Kundër Terrorizmit.

Bota është e interesuar për modelin kosovar të shtet-ndërtimit dhe parandalimit të ekstremizmit, por ne duhet të rrisim kapacitetet, njohuritë dhe rrjetëzimin tonë të brendshëm dhe të jashtëm që do ta adresonin një nga rreziqet më potente për vet ekzistencën e shtetit kosovar. Aprovimi sa më i hershëm i strategjisë kombëtare gjithëpërfshirëse është imperativ i kohës dhe mundëson një kornizim të rrezikut më të madh me të cilin ballafaqohemi në fushën e sigurisë kombëtare.

(Petrit Selimi është zëvendësministër i Jashtëm dhe themelues i Iniciativës kosovare për dialog ndërfetar, ndërsa Edon Myftari është këshilltar për siguri kombëtare dhe koordinator vendor për luftimin e ekstremizmit i kryeministrit Mustafa. Artikulli është shkruar gjatë pjesëmarrjes së tyre në Forumin Global kundër Terrorizmit, që po mbahet këtë javë në Washington DC).