Kosova e mposht Kroacinë në udhëtim dhe merr kreun e grupit
Futbollistet e Kosovës kanë marrë një fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj Kroacisë, duke triumfuar me rezultat minimal 1-0 në kuadër të kualifikimeve për Kupa e Botës për femra 2027.
Ndeshja u zhvillua të shtunën në Karlovac, ku futbollistet kosovare arritën të marrin tri pikë shumë të vlefshme ndaj një kundërshtari që konsiderohej favorit në Grupin 2 të Ligës C.
Golin e vetëm të takimit e shënoi Modesta Uka në minutën e 13-të. Ky gol rezultoi vendimtar, pasi rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund të ndeshjes dhe Kosova siguroi fitoren.
Falë këtij suksesi, Kosova ngjitet në krye të tabelës me gjashtë pikë, tri më shumë se Kroacia. Në ndeshjen e parë të këtij cikli kualifikues, më 3 mars në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, Kosova kishte fituar bindshëm 6-0 ndaj Gjibraltarit.
Ndeshjen e radhës Kosova do ta zhvillojë më 14 prill në udhëtim ndaj Bullgarisë ndërsa më 18 prill do ta presë të njëjtin kundërshtar në shtëpi.
Cikli kualifikues do të përmbyllet në muajin qershor. Më 5 qershor Kosova do të përballet me Kroacinë në Prishtinë, ndërsa më 9 qershor do të luajë në udhëtim ndaj Gjibraltarit.
Nga Liga C nuk është i mundur kualifikimi direkt në Botëror. Skuadra që përfundon e para në grup siguron vend në ‘play-off’, ndërsa mundësia për të arritur në ‘play-off’ ekziston edhe për ekipin që renditet në pozitën e dytë./Telegrafi/


