Please enter at least 3 characters.

Konjufca në Uashington merr pjesë në takimin ministror për luftën kundër terrorizmit politik: SHBA mbetet aleati ynë më i afërt

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në takimin ministror për rritjen e rrezikut nga terrorizmi politik, i organizuar në Washington D.C. nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Përmes një postimi, Konjufca tha se pjesëmarrja e Kosovës në këtë takim është e rëndësishme, pasi i jep mundësi vendit të kontribuojë në parandalimin e terrorizmit politik dhe në forcimin e mekanizmave që mbrojnë shoqëritë demokratike nga kërcënimet në rritje.

Sipas tij, terrorizmi politik po merr forma gjithnjë e më të organizuara dhe vepron përtej kufijve shtetërorë, duke shfrytëzuar rrjetet ndërkombëtare, financimin dhe hapësirën digjitale për të cenuar stabilitetin dhe institucionet demokratike.

“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ministerial është e rëndësishme, sepse i jep mundësinë vendit tonë të kontribuojë në parandalimin e terrorizmit politik dhe forcimin e mekanizmave që mbrojnë shoqëritë tona nga ky kërcënim”, ka shkruar Konjufca.

Ai ritheksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati më i afërt dhe partneri strategjik i Kosovës, duke theksuar se bashkëpunimi me SHBA-në dhe me vendet partnere është thelbësor për ndërtimin e një mjedisi më të sigurt dhe për mbrojtjen e vlerave demokratike.

Konjufca shtoi se Kosova do të vazhdojë të kontribuojë në çdo nismë që forcon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe i shërben paqes dhe sigurisë.