Please enter at least 3 characters.

Komunat e Kosovës nën mjegull - Prishtina, Peja, Prizreni dhe Ferizaj më të prekurat

Gjatë ditëve të fundit, pjesa më e madhe e Kosovës, veçanërisht viset e ulëta përgjatë luginave lumore, po përjeton prezencë të shtuar të mjegullës.

Mjegulla është një dukuri meteorologjike që formohet mbi sipërfaqen e tokës, në pjesën e poshtme të atmosferës. Ajo ndikohet nga lagështia relative e ajrit, temperaturat e ulëta dhe lëvizjet e vogla të ajrit.

Meteorologët e klasifikojnë mjegullën në tri nivele:

  • Mjegull e dendur
  • Mjegull e mesme
  • Mjegull e rrallë

Sipas statistikave të Observatorëve Meteorologjikë në Kosovë, mesatarisht regjistrohen rreth 26 ditë me mjegull në vit. Numri më i lartë i ditëve me mjegull është regjistruar në Prishtinë (30 ditë), pasuar nga Prizreni (29 ditë), Peja (23 ditë) dhe Ferizaji (21 ditë). Mjegulla paraqitet më shpesh gjatë muajve dhjetor – shkurt, duke përbërë rreth 57% të rasteve vjetore.

Kjo dukuri meteorologjike ndikon në sigurinë e komunikacionit dhe kërkon kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, sidomos gjatë orëve të mëngjesit dhe në mbrëmje. /Telegrafi/