Please enter at least 3 characters.

Komuna e Vitisë njofton për vazhdimin e afatit për legalizimin e ndërtimeve pa leje

Komuna e Vitisë informon qytetarët se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka vendosur të vazhdojë afatin për dorëzimin e aplikacioneve për legalizimin e ndërtimeve pa leje, në përputhje me nenin 9, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 06/L-024 për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

Sipas këtij vendimi, afati do të zgjatet për një periudhë prej 12 muajsh, duke filluar nga data e nënshkrimit të vendimit, dhe është vendosur për të lejuar qytetarët të përmbushin objektivat e ligjit.

Qytetarët mund të dorëzojnë aplikacionet e tyre në Zyrat e Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit (DUPMM) në objektin e ri të Komunës së Vitisë.

“Ky vendim u mor duke marrë parasysh nevojën për kohë shtesë, me qëllim që të arrihen objektivat e Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje", ka deklaruar Liridon Januzi, U.D. i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Komuna e Vitisë fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të legalizuar ndërtimet e tyre sipas ligjit.