Please enter at least 3 characters.

Klimatologu gjerman paralajmëron: Kjo mund të jetë vera më e ftohtë e 300 viteve të ardhshme

Pas një vale ekstreme të të nxehtit, Tirolin e Austrisë e kanë goditur reshje të dendura shiu dhe rrëshqitje të shumta dheu. Meteorologu dhe klimatologu, Andreas Jager thotë se këto nuk janë më dukuri të izoluara, por shenja të një realiteti të ri klimatik.

Sipas Jagerit, një qershor i tillë nuk është regjistruar që nga fillimi i mijëvjeçarit. Ai e cilëson valën e fundit të të nxehtit, së bashku me atë të vitit 2015, si ndër më intensivet e regjistruara ndonjëherë, ndërsa më shumë se gjysma e stacioneve meteorologjike kanë raportuar temperatura rekord.

“Kjo është ndoshta vera më e ftohtë që do të kemi në 300 vitet e ardhshme”, deklaroi Jager për Tirol TV, duke paralajmëruar se temperaturat ekstreme, stuhitë e fuqishme dhe kushtet e tjera të pazakonta të motit do të bëhen gjithnjë e më të zakonshme.

Klimatologu veçon mungesën e ujit si një nga problemet kryesore të së ardhmes. Sipas tij, mungesa e borës po ndikon drejtpërdrejt në furnizimin e ujërave nëntokësore, pasi bora që shkrihet ngadalë luan rol të rëndësishëm në rimbushjen e tyre, raportojnë mediat.

Ndryshimet do të prekin edhe bujqësinë, e cila, sipas Jagerit, duhet të përshtatet me kushtet e reja përmes metodave të ndryshme të kultivimit dhe mbulimit të tokës gjatë gjithë vitit. “Kjo mënyrë e bujqësisë nuk është më e qëndrueshme”, tha ai.

Jager hodhi poshtë edhe argumentin se Evropa nuk mund të ndikojë në ndryshimet klimatike për shkak të emetimeve të larta në SHBA dhe Azi. Ai tha se Kina po bën hapa të rëndësishëm në tranzicionin energjetik dhe se masat për mbrojtjen e klimës mund të forcojnë pavarësinë dhe ekonomitë rajonale.

Klimatologu paralajmëroi se bota ende nuk e ka arritur kulmin e ndryshimeve klimatike. “Derisa ta ngadalësojmë këtë proces, situata vetëm do të përkeqësohet”, tha ai, duke shtuar se shoqëritë duhet të mësojnë të jetojnë me kushtet e reja klimatike. /Telegrafi/