Kida lanson këngën e re "Menime"
Këngëtarja e njohur Kida ka publikuar ditën e sotme (e enjte) projektin e saj më të ri muzikor të titulluar “Menime”, i cili është shoqëruar edhe me një videoklip të realizuar në mënyrë profesionale dhe vizualisht të kuruar.
Kënga vjen me një ekip të njohur bashkëpunëtorësh në industrinë muzikore: teksti është shkruar nga BimBimma, ndërsa melodia mban firmën e Kidës dhe Liro.
Producimi është realizuar nga Deard Sylejmani, duke i dhënë projektit një tingull modern dhe të përshtatur me stilin aktual të muzikës urbane.
“Menime” sjell një atmosferë emocionale dhe reflektuese, ku teksti dhe interpretimi fokusohen te mendimet, përjetimet personale dhe ndjesitë që lidhen me marrëdhëniet dhe jetën e brendshme të individit.
Kjo e bën këngën të afërt për publikun që identifikohet me tematikat e saj.
Në videoklip, Kida, emri i vërtetë Orhidea Latifi, vjen me një paraqitje të kuruar në detaje, duke sjellë stil e elegancë.
Ajo ka tërhequr vëmendje në çdo skenë të klipit, duke e bërë projektin jo vetëm muzikor, por edhe vizualisht të spikatur në tregun muzikor shqiptar. /Telegrafi/


