Please enter at least 3 characters.

"Karrigia është, deputeti mungon", "Deri kur?", "Për çka ju kemi zgjedhë?" - aksion para Kuvendit për moskonstituim

Organizata të ndryshme të shoqërisë civile zhvilluan një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj bllokimit të vazhdueshëm të procesit të konstituimit të këtij institucioni.

Ky aksion u organizua pak para nisjes së përpjekjes së 22-të për konstituimin e Kuvendit, që tregon shqetësimin për ngecjen e procesit demokratik në vend, transmeton Telegrafi.

Para hyrjes së Kuvendit janë vendosur ulëse që simbolizonin sallën plenare, ndërsa mbi to u vendosën pankarta me mesazhe kritike ndaj deputetëve, të cilat sipas organizatorëve, pasqyrojnë papërgjegjshmërinë dhe mungesën e përkushtimit ndaj qytetarëve.

Disa nga mesazhet e vendosura në karriget simbolike ishin “120 rroga, 0 përgjegjësi”,  “Deri kur?”, “Cirku i demokracisë”, “Ky nuk është serial – është shteti ynë” ,“Për çka ju kemi zgjedhur?”.

Ndryshe, Kuvendi nuk po arrin të konstituohet, pasi partia fituese e zgjedhjeve LVV, nuk po arrin të sigurojë votat e mjaftueshme për kandidaten për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu./Telegrafi/