Please enter at least 3 characters.

Kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të komunës së Debarcës: Nënshkroi leje për fotovoltaikë pa dokumentacionin e nevojshëm

mpb maqedoni
mpb maqedoni
mpb maqedoni

Ish-kryetari i Komunës së Debarcës, Zoran Nogaceski, është kallëzuar penalisht nën dyshimin për “punë të pandërgjegjshme në shërbim”, pasi, sipas policisë, gjatë vitit 2024 kishte nënshkruar leje për ndërtimin e paneleve fotovoltaike për një kompani nga Shkupi, e cila nuk kishte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

Kallëzimin penal e ka paraqitur SPB Ohër kundër 60-vjeçarit Z.N. nga fshati Volinë dhe 43-vjeçarit I.M. nga fshati Mesheishtë. Të dy dyshohen për veprën penale “punë të pandërgjegjshme në shërbim”.

Sipas informacioneve të MPB-së, i kallëzuari i parë, gjatë vitit 2024, në kohën kur ushtronte detyrën e kryetarit të Komunës së Debërcës, duke mos kryer mbikëqyrjen e detyrueshme dhe duke vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme gjatë ushtrimit të kompetencave dhe detyrave të tij, kishte nënshkruar leje për ndërtimin e paneleve fotovoltaike.

Nga policia pretendojnë se lejet ishin nënshkruar edhe pse ai e dinte se personi juridik nga Shkupi, për të cilin ishin lëshuar ato, nuk posedonte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm të lëshuar nga organi kompetent.

Në këtë rast dyshohet edhe ish-udhëheqësi i Departamentit për Urbanizëm dhe Veprimtari Publike në Komunën e Debërcës. Sipas MPB-së, pikërisht i kallëzuari i dytë i kishte përgatitur lejet, të cilat më pas ishin nënshkruar nga kryetari i atëhershëm i komunës.

"Gjatë vitit 2024, i kallëzuari i parë, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Debërcës, duke mos kryer mbikëqyrjen e detyrueshme, si dhe duke vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme gjatë ushtrimit të kompetencave dhe detyrave të tij, kishte nënshkruar leje për ndërtimin e paneleve fotovoltaike për një person juridik nga Shkupi, edhe pse e dinte se personi juridik nuk posedonte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm të lëshuar nga organi kompetent", njoftuan nga MPB-ja.

Lejet, siç shtojnë nga policia, ishin përgatitur nga i kallëzuari i dytë, i cili në atë periudhë ishte udhëheqës i Departamentit Komunal për Urbanizëm dhe Veprimtari Publike.

Kundër të dyve është paraqitur kallëzim penal pranë prokurorisë kompetente, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “punë të pandërgjegjshme në shërbim”.