Juliana Nura feston 36-vjetorin me fotosesion të veçantë gjatë shtatzënisë: Zgjodha të thyej tabutë
Ish-finalistja e edicionit të parë të Big Brother VIP Kosova, Juliana Nura, feston sot ditëlindjen e saj të 36-të, një përvjetor që këtë herë e gjen në një nga periudhat më të lumtura dhe më të veçanta të jetës.
Me këtë rast, Xhuli ka publikuar në rrjetet sociale disa fotografi artistike, ku shfaqet me barkun e rrumbullakosur të shtatzënisë, e veshur me një fustan rozë, duke treguar se kjo ditëlindje ka një domethënie krejtësisht të re për të.
Në një dedikim emocional, ajo u shpreh se ndihet më e përmbushur se kurrë, krenare për gruan që është bërë dhe plot entuziazëm për kapitullin e ri të jetës së saj si nënë.
“Jam bërë gruaja që dikur e ëndërroja të isha, një grua që ecën në rrugën e saj pa kërkuar leje dhe pa u ndjerë kurrë në siklet për atë që është. Unë zgjedh të thyej tabutë, që vajzat tona ta kenë rrugën më të lehtë nesër”, shkroi Juliana, duke përcjellë një mesazh të fortë fuqizimi për gratë.
Ajo shtoi se gjithmonë e ka festuar jetën, siç i ka hije edhe një Gaforreje në horoskop, por këtë vit gjithçka ndihet ndryshe, pasi po përgatitet të sjellë në jetë fëmijët e saj.
Ky përvjetor e gjen Julianën në qendër të vëmendjes së publikut edhe për një tjetër arsye. Vetëm pak ditë më parë, ajo bëri publike se është në pritje të ëmbël të binjakëve përmes metodës IVF (fekondim in vitro), me ndihmën e një donatori.
Deklarata e saj ngjalli reagime të shumta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, megjithatë Xhuli ka treguar edhe një herë se nuk heziton të sfidojë paragjykimet dhe të flasë hapur për vendimet e rëndësishme të jetës së saj.
Ndërsa feston 36-vjetorin, Juliana Nura duket se po jeton një nga periudhat më të bukura të jetës, duke pritur me padurim ardhjen në jetë të binjakëve dhe nisjen e një kapitulli të ri si nënë. /Telegrafi/


