Please enter at least 3 characters.

Jetmir Rexhepi ia merr këngës në PodGo: Nuk do ta lë kulturën deri në fund të jetës

Drejtori i Ansamblit Kombëtar Shqiptar në RMV, Jetmir Rexhepi, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo me të cilin kemi diskutuar për kulturën në vend, institucionin që ai drejton, si dhe tema tjera.

Rexhepi tha se ka qenë i punësuar si këngëtar në Ansambël, por kur është emëruar drejtor ka parë problemet që ka pasur institucioni. Ai tha se në Ansambël mungon kuadri dhe duhet të bëhen punësime të reja.



"Kur kam hyrë si ushtrues detyre drejtor, kam pasur mision që të gjithë ata punëtorët që kanë qenë jashtë duhet të futeshin brenda. Derisa ministri ka thënë që kjo do të bëhet, atëherë bëhet me pushtet. Kam kënduar në Ansambël si këngëtar dhe nuk e kam parë çfarë ka në institucion. Por kur u bëra drejtor e pash se çfarë probleme ka. Ne përkushtohemi për kulturën shqiptare, na interesojnë këngët shqipe, këngët qytetare, këngët e Pollogut".

"Do të bëjmë një shtëpi të kulturës për ansamblin tonë shqiptar në vitin 2027. Ansambli nuk do të ketë kaq pak njerëz sa kemi në punë. Duhet të bëhen edhe 90 punësime tjera. Për momentin kemi dhënë 46 vendime. Ky institucion kulturor dhe ato tjerat janë me paga të larta, por ka kritere për punësimet", tha Rexhepi.

Ai foli edhe për përvojën e tij, duke thënë se për 20 vite ka qenë dirigjent i korit të qytetit.

"Kam dhënë kontribut në Tetovë, kam qenë 20 vite dirigjent i korit të qytetit. Në vitin 2005 kam themeluar Shoqatën e artistëve "Artklasik". Bashkë me Gëzimen kam përpiluar projekt për këngët qytetare. Gjithashtu kam udhëhequr grupin e grave "Teuta"", tha Rexhepi.

E pyetëm për dallimin në mes institucioneve kulturore në trojet shqiptare, ai tha se Kosova dhe Shqipëria kanë njerëz me më shumë përvojë.

"Ansambli i Kosovës dhe Shqipërisë ka njerëz që janë me reputacion 70-vjeçar. Ne si ansambël jemi 7 vjeç, ne jemi afruar dhe jemi të rinj dhe besoj se do të arrijmë shumë", tha Rexhepi./Telegrafi/