Jetë nate pas orës 23:00? Kandidati i PSD-së, Eliot Hashimi ka një plan për Prishtinën
Eliot Hashimi, kandidat për Asamblenë Komunale të Prishtinës nga Partia Socialdemokrate (PSD), po tërheq vëmendje me një fushatë dinamike dhe kreative, ku theks të veçantë i ka dhënë zhvillimit të jetës së natës në kryeqytet.
Me përvojë akademike në Franklin University në Zvicër, Hashimi po i drejtohet votuesve të rinj me ide konkrete për të krijuar një Prishtinë më gjallëruese, më moderne dhe më atraktive pas orës 23:00.
Ai propozon zgjatjen e orarit të aktiviteteve kulturore, argëtuese dhe sociale, duke e parë jetën e natës si pjesë të rëndësishme të identitetit urban dhe zhvillimit ekonomik të qytetit.
Përveç vizionit për një jetë nate të riorganizuar, Hashimi mbetet i përkushtuar edhe ndaj kauzave tjera si gjelbërimi i qytetit, por mesazhi kryesor i tij në këtë fazë të fushatës mbetet thirrja për mobilizim të të rinjve për të votuar.
“Me numrin 14, votoni për një Prishtinë që nuk mbyllet në orën 11. Votoni për një qytet që jeton edhe natën,” është thirrja e qartë e tij për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. /Telegrafi/


