Jared Kushner kritikon ashpër Netanyahun për Gazën
Raportimet e mediave izraelite bëjnë të ditur se Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv për Gazën, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu lidhur me mënyrën se si po e trajton planin për Gazën, ndërsa mosmarrëveshjet rreth kësaj nisme po thellohen.
Sipas televizionit Channel 14, i cili citon burime të njohura me bisedat, Kushner dhe Netanyahu kanë zhvilluar gjatë ditëve të fundit disa diskutime të tensionuara për mënyrën se si duhet të vazhdohet me planin.
Kushner kundërshtoi qëndrimin e Netanyahut ndaj disa hapave të paraparë në udhërrëfyesin për Gazën. Ai argumentoi se nisma ishte hartuar pikërisht duke u bazuar në dëshirën e kryeministrit izraelit për të gjetur një alternativë si ndaj vazhdimit të kontrollit izraelit mbi Gazën, ashtu edhe ndaj qeverisjes së Hamasit.
“Po e sabotoni vetë idenë që kërkuat”, raportohet t’i ketë thënë Kushner Netanyahut, duke e akuzuar atë se po e pengon nismën pikërisht në momentin kur ajo po shkon drejt zbatimit, shkruajnë mediat.
Netanyahu i hodhi poshtë kritikat, duke këmbëngulur se çdo marrëveshje e re për qeverisjen e Gazës duhet të bëhet vetëm pasi Hamasi të çarmatoset dhe enklava të demilitarizohet plotësisht.
Ai gjithashtu kundërshtoi dispozitat që do ta vendosnin Gazën nën ligjin palestinez, duke argumentuar se një hap i tillë do të nënkuptonte krijimin e një shteti palestinez, raportoi televizioni izraelit.
Raportimet për këto biseda vijnë në një kohë kur janë shtuar mosmarrëveshjet rreth zbatimit të udhërrëfyesit për Gazën, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Të dielën, Netanyahu refuzoi një dokument prej 15 pikash të hartuar nga Bordi i Paqes (Board of Peace), duke insistuar se forcat izraelite nuk do të tërhiqen nga Gaza përpara se Hamasi të çarmatoset plotësisht.
Channel 14 raportoi se tensionet me Kushnerin, së bashku me presionin brenda vetë qeverisë së Netanyahut, kanë kontribuar në vendimin e kryeministrit izraelit për ta refuzuar dokumentin. /Telegrafi/


