Please enter at least 3 characters.

Jahjaga: E rëndësishme njohja e Kosovës nga Egjipti

2016/01/f.0514171407945_m.jpg

Presidentja Jahjaga vlerësoi përpjekjet dhe angazhimin e Egjiptit në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe sidomos ndihmën që Egjipti ka dhënë në anëtarësimin e vendit tonë në organizatat ndërkombëtare.

Jahjaga tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Egjipti është e rëndësishme dhe do të kontribuojë në vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, do të thellojë bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe do të ndihmojë në konsolidimin e mëtejmë të shtetësisë së Kosovës. Ajo tha se ndihma e Egjiptit është e nevojshme për njohjen e Kosovës nga vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike.

Duke folur për marrëveshjet e arritura në dialogun me Republikën e Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur nga SHBA-ja, Presidentja Jahjaga theksoi se ato duhet të zbatohen plotësisht, sepse e lehtësojnë jetën e qytetarëve nga të dyja anët e kufirit dhe ndihmojnë në relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura.

Ajo tha se të dyja shtetet synojnë anëtarësimin në BE dhe ato duhet të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore që do të ndihmojnë edhe stabilitetin dhe paqen ne rajonin e Ballkanit.

Kryesuesi i delegacionit të Egjiptit, ambasadori Mohamed Ibrahim Mahmoud Shaker tha se vendi i tij e njeh gjithë sakrificën dhe angazhimin e popullit të Kosovës për pavarësi dhe për ndërtimin e një shteti demokratik. Ai tha se vizita në Kosovë e delegacionit do të ndihmojë në dhënien e një shtytjeje për ndërtimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ambasadori Shaker theksoi se vendi i tij i jep përkrahje Kosovës në të gjitha fushat. /Telegrafi/