Ismet Munishi flet para përballjes Kosovë - Slloveni dhe kujton kohën kur luante me trajnerin e sllovenëve: Kombëtare e fortë
Trajneri kosovar, Ismet Munishi, aktualisht në krye të Dukagjinit, ka folur para ndeshjes vendimtare të Kosovës kundër Sllovenisë, që luhet të premten në Fadil Vokrri me fillim nga ora 20:45.
Kombëtarja e Kosovës ka 3 pikë pas dy ndeshjeve, ndërsa Sllovenia ka 1 pikë, duke e bërë përballjen të rëndësishme për kualifikimin.
Munishi ka një histori të veçantë me përzgjedhësin e Sllovenisë, Matjaz Kek, me të cilin ka luajtur te Maribor, dhe ka qenë bashkëlokëtar me Robert Englaro (ndihmëstrajner i Sllovenisë) te Olimpija Ljubjana, përvoja që i jep një perspektivë të veçantë për sfidën e ardhshme.
Ai ka bërë një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në futbollin slloven, duke luajtur për skuadra si Maribor, Olimpija Ljubjana, Mura dhe Korotan e Smartano.
Në një prononcim për Telegrafin, trajneri kosovar vlerëson Slloveninë si një kundërshtar të fortë dhe paralajmëron një ndeshje të vështirë.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë me Slloveninë. Ata janë një kombëtare shumë e konsoliduar, e karakterizuar nga lufta dhe disiplinë taktike. I kam parë në ndeshjen kundër Suedisë, ku kanë qenë jashtëzakonisht të disiplinuar dhe kanë arritur të barazojnë rezultatin. Një pjesë të meritat që ne i fituam ndaj Suedisë, ata i kanë gjithashtu, pasi na kanë lodhur shumë si kundërshtarë", tha Munishi për Telegrafin.
Munishi thekson cilësinë e skuadrës dhe futbollistëve të Sllovenisë.
“Do të jetë një përballje e vështirë, sepse kemi të bëjmë me një kombëtare të konsoliduar dhe që ka në radhët e veta futbollistë shumë cilësorë".
Ai vlerëson trajnerin e Sllovenisë, Matjaz Kek, dhe rolin e tij në sukseset e ekipit kombëtar të Sllovenisë.
“Lojtari më i mirë i Sllovenisë, mund të them, është trajneri Matjaz Kek, me të cilin kam luajtur te Maribor dhe e kam pasur kapiten të skuadrës. Ai është me të vërtetë një personalitet dhe një trajner që i ka dhënë shumë futbollit slloven dhe ka pasur sukses kudo. Mendoj se ai është më meritori për sukseset e Sllovenisë në vitet e fundit".
Munishi nuk jep parashikime për rezultatin, por beson se qasja e ekipit mund të sjellë fitore nëse paraqitemi si ndaj Suedisë.
“Nuk do të parashikoja rezultatin e ndeshjes, por nëse i qasemi si ndaj Suedisë, do të kemi shumë shanse, sepse më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë disiplina taktike dhe përgatitja e ndeshjes nga trajneri Foda, si dhe entuziazmi dhe energjia e futbollistëve në fushë. Nëse veprojmë njësoj, do të kemi shanse të mëdha për fitore", vazhdoi tutje Munishi.
Krejt në fund ai kujton takimin e kaluar me selektorin Kek dhe Englaro dhe rëndësinë e respektit të ndërsjellë.
“Heren e kaluar, kur kemi luajtur kundër Sllovenisë, selektori Kek më ka telefonuar mua dhe Besnik Kollarin, dhe e kemi vizituar. Kemi bërë një bisedë për ditët tona të lavdishme te Maribori, kur u bëmë kampionë për herë të parë në histori. Nuk ka pasur asnjë fjalë për Kosovën, vetëm respekt i ndërsjellë dhe kujtimi i atyre kohëve. Ka qenë një takim shumë i mirë dhe i ngrohtë. Nëse më telefonojnë përsëri selektori dhe Englaro, do të shkoj t’i takoj, sepse ruajmë respektin e ndërsjellë dhe, natyrisht, vitet që kemi kaluar si lojtar i kujtoj me kënaqësi dhe për ato ruajmë raportet tona të shkëlqyera”, përfundoi trajneri i Dukagjinit. /Telegrafi/


