Please enter at least 3 characters.

Isak dhe Gyokeres në presion të hatashëm: Kërkojnë këndellje përballë mbrojtjes që dështuan në Prishtinë

Situata e Suedisë në kualifikueset për Kupën e Botës 2026 po bëhet gjithnjë e më e vështirë, ndërsa dy nga sulmuesit e saj më të shtrenjtë, Alexander Isak dhe Viktor Gyökeres, ndodhen në qendër të një presioni të madh për të kthyer fatin e skuadrës.

Pas tre ndeshjeve të zhvilluara në Grupin B, Suedia ka vetëm 1 pikë dhe mban vendin e fundit në tabelë, pas Zvicrës (9 pikë), Kosovës (4 pikë) dhe Sllovenisë (2 pikë).

Një performancë e dobët në ndeshjen e ardhshme kundër Kosovës, që zhvillohet këtë të hënë, mund ta çojë ekipin në një krizë të thellë dhe ta komplikojë seriozisht rrugën drejt Botërorit të vitit 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Përveç Isak dhe Gyökeres, në skuadër janë edhe talentet e tjera të spikatura si Svensson (Dortmund), Elanga (Newcastle), Bardghji (Barcelona) dhe Bergvall (Tottenham), të cilët janë pjesë e brezit të ri që pritet të udhëheqë ekipin suedez në vitet e ardhshme.

Futbolli suedez ka pasur një periudhë të vështirë gjatë këtij shekulli, duke mos arritur të kualifikohet në Kupat e Botës të viteve 2010, 2014 dhe 2022.

Vetëm në 2018, Suedia arriti të sigurojë pjesëmarrjen pas një përballjeje të fortë me Italinë.

Presioni te dy sulmuesit suedez po rritet vazhdimisht, derisa ndaj Kosovës në Prishtinë të dy u bllokuan mjaftë mirë nga mbrojtja dardane.

Sonte është testi i radhës si për sulmuesit e shtrenjtë suedez ashtu edhe për mbrojtjen dardane që nëse arrin sërish t'i ndalë këta dy, atëherë vlera e futbollistëve tanë do të rritet edhe më shumë. /Telegrafi/