Irani raporton për arritjen e një draft marrëveshje, reagon SHBA-ja
Është një “fabrikim i plotë”, ka thënë SHBA-ja në reagim ndaj raportimeve të mëhershme nga Irani për një draft-marrëveshje.
Televizioni shtetëror iranian pretendoi se kishte siguruar një draft të një kornize fillestare jozyrtare për një memorandum mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara, shkruan skynews.
Sipas kësaj kornize, Irani do të rikthente lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit në nivelet para-luftës brenda një muaji, ndërsa SHBA do të tërhiqte forcat ushtarake dhe do të hiqte bllokadën.
Gazetarja e çështjeve ndërkombëtare dhe ekspertja për Iranin, Tara Kangarlou, paralajmëroi më herët se këto raportime duhet të merren me rezervë.
“Ky është thjesht një informacion që po qarkullon në internet nga një gazetar i vetëm, shumë afër strukturave shtetërore,” tha ajo për Sky News, pas bisedës me një nga burimet e saj në vend.
“Prandaj mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm se sa shumë i japim rëndësi”, deklaroi gazetarja.
Duke analizuar atë që mund të përfshihet në një marrëveshje të mundshme, Kangarlou tha se po bëhet gjithnjë e më e mundshme që “të shohim marrëveshje të reja për Ngushticën e Hormuzit”, pasi mediat shtetërore raportuan se Irani ka arritur një marrëveshje për këtë me Omanin.
Ajo shtoi se edhe Libani mund të luajë rol, gjë që vë në fokus marrëdhëniet delikate mes SHBA-së dhe Izraelit. /Telegrafi/


