Please enter at least 3 characters.

IQMT mbyll gjashtë biznese dhe gjobit gjashtë të tjera në aksionin ndaj kriptovalutave dhe këmbimoreve

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka nisur një aksion inspektues ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve, në kuadër të zbatimit të planit operacional për mbikëqyrjen e tregut.

Sipas njoftimit të IQMT-së, inspektimet janë zhvilluar gjatë ditës së parë në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit, Podujevës, Rahovecit dhe Suharekës, me qëllim të verifikimit të përmbushjes së kërkesave ligjore për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Gjatë aksionit janë inspektuar gjithsej 16 biznese.

Prej tyre, ndaj gjashtë subjekteve është shqiptuar masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë, pasi nuk posedonin dokumentacionin e detyrueshëm, kryesisht pëlqimin për përmbushjen e kushteve minimale teknike.

Ndërkaq, gjashtë biznese të tjera janë gjobitur për mungesë të dokumentacionit të kërkuar me ligj.

IQMT bëri të ditur se aksioni do të vazhdojë në kuadër të planit operacional, i cili parasheh inspektimin e mbi 268 bizneseve të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), që kanë të regjistruar kodin për ndërmjetësime të tjera monetare.

Inspektorati u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që operojnë në këtë sektor të sigurojnë përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore, duke aplikuar për pëlqimin e kushteve minimale teknike në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), si dhe duke u pajisur me licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas IQMT-së, aksioni do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të planit operacional, me synimin për të garantuar zbatimin e ligjit, mbrojtjen e interesit publik dhe krijimin e një tregu të rregulluar, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.