IPK arreston një zyrtar policor në Shtërpcë, dyshohet se pranoi dy mijë euro ryshfet
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar në flagrancë një zyrtar policor nga Stacioni Policor në Shtërpcë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, i cili dyshohet se ka pranuar 2 mijë euro si pjesë e një shume të përgjithshme, në lidhje me veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Sipas njoftimit të IPK-së, rasti është hetuar me masa të fshehta dhe përmes simulimit të korrupsionit, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
“Inspektorati Policor i Kosovës me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka zhvilluar hetim me masa të fshehta, simulim i korrupsionit, ku është arrestuar në flagrancë një zyrtar policor… pasi dyshohet se ka pranuar shumën prej 2000 euro…”, thuhet në njoftim.
Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
IPK bën të ditur se rasti po trajtohet nën dyshimet për veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas nenit 294 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Telegrafi.


