Instituti kryesor kërkimor i Roscosmos përfshihet nga zjarri në rajonin e Moskës
Instituti kryesor kërkimor i agjencisë ruse të hapësirës, Roscosmos, është përfshirë nga një zjarr në rajonin e Moskës, sipas raportimeve të mediave ruse.
Shkaqet e zjarrit nuk janë bërë ende të ditura, por raportimet fillestare sugjerojnë se ai mund të ketë qenë i natyrës teknike.
Pak para publikimit të lajmit për zjarrin, Agjencia Federale Ruse e Transportit Ajror vendosi kufizime të përkohshme në operacionet e aeroporteve të Moskës, një masë që zakonisht merret gjatë kërcënimeve ose sulmeve me dronë.
Instituti strehon Qendrën e Kontrollit të Misioneve dhe luan një rol kyç në zhvillimin e sistemit rus të navigimit satelitor GLONASS, si dhe në kërkimet për teknologjinë raketore dhe hapësinore.
Që nga viti 2022, ky institut ndodhet nën sanksionet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe vendeve të tjera perëndimore, për shkak të rolit të tij në mbështetjen e përpjekjeve ushtarake të Rusisë në luftën kundër Ukrainës.
Deri më tani, autoritetet ruse nuk kanë dhënë detaje mbi shkakun e zjarrit apo nëse ka të lënduar ose dëme të mëdha materiale. /Telegrafi/


