I paraburgosuri kapet me iPhone në ambientet e qelisë, sekuestrohen edhe dy aparate të tjerë telefonikë në IEVP Durrës
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar një aksion të befasishëm në burgun e Durrësit, me synim goditjen e sendeve të ndaluara brenda institucionit.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u ndërmor pas informacioneve të siguruara nga strukturat operative dhe analizës së riskut. Kontrolli u realizua në orët e para të mëngjesit.
Gjatë ndërhyrjes u ushtruan kontrolle të imtësishme si në ambientet e brendshme, ashtu edhe në ato të jashtme të institucionit.
Autoritetet bënë të ditur se u sekuestruan tre celularë të tipit “iPhone”, të ndezur dhe funksionalë. Njëri prej tyre u gjet në posedim të një të paraburgosuri me inicialet B.G., ndërsa dy të tjerë, së bashku me një palë kufje “bluetooth”, u konstatuan në ambientet e institucionit pa autor të identifikuar.
Menjëherë pas konstatimeve, u bë veçimi i të paraburgosurit, u hartua raporti i incidentit dhe u mbajt procesverbali për bllokimin e sendeve të ndaluara. Materialet i janë referuar Specialistit të SHKB për vijimin e veprimeve hetimore.
Drejtoria e Burgjeve thekson se ky aksion është pjesë e masave të shtuara për garantimin e sigurisë në institucionet penitenciare dhe paralajmëron se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha IEVP-të në rang vendi, me zero tolerancë ndaj shkeljeve. /Tch/


