Please enter at least 3 characters.

I arratisur nga burgu dhe në kërkim prej tre vjetësh, arrestohet 21-vjeçari në Shtime

Një person i kërkuar me urdhërarrest aktiv është arrestuar të martën mbrëma në Shtime, pas një ndjekjeje nga Policia gjatë së cilës i dyshuari tentoi të ikte me automjet dhe më pas në këmbë.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 29 korrik, rreth orës 22:15, në rrugën "Tahir Sinani", kur hetuesit e stacionit policor në Shtime kanë tentuar ta ndalin një automjet, shoferi i të cilit nuk u kishte dhënë përparësi këmbësorëve në vendkalimin e shënuar.

Megjithatë, shoferi nuk iu bind urdhrit të policisë për ndalim dhe vazhdoi lëvizjen.

“Pas aktivizimit të sinjalizimit të alarmit të automjetit policor, i dyshuari ka rritur shpejtësinë, duke kryer manovra të rrezikshme në komunikacion, përfshirë tejkalime edhe mbi trotuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas një ndjekjeje të shkurtër, i dyshuari hyri në rrugën "12 Qershori", ku u detyrua ta ndalte automjetin në një rrugë pa dalje dhe u largua me vrap.

“Njëri nga hetuesit ka vazhduar ndjekjen në këmbë dhe pas urdhrave verbalë për ndalim, ka arritur ta neutralizojë dhe arrestojë të dyshuarin”, njofton Policia.

Pas shoqërimit në stacionin policor është konstatuar se i arrestuari, me inicialet A.S., 21 vjeç, ishte në kërkim me urdhërarrest aktiv.

“Sipas të dhënave zyrtare, ai ishte arratisur nga institucioni korrektues gjatë vuajtjes së dënimit dhe për rreth tre vjet kishte qëndruar jashtë vendit”, thuhet më tej në komunikatë.

Me vendim të gjyqtarit kompetent, 21-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për procedura të mëtejshme ligjore.

Policia bëri të ditur se gjatë tentativës për arratisje dhe arrestimit, i dyshuari ka bërë rezistencë aktive dhe ka pësuar lëndime të lehta trupore, për çka ka marrë trajtim mjekësor në QKMF-në e Shtimes. /Telegrafi/