Historia e tiranit që ndaloi të qeshurën
Rrëfenjë peruane
Përktheu: Bajram Karabolli
Kjo është historia e tiranit që ndaloi të qeshurën, shërim i fuqishëm për të ripërtërirë jetën.
Tregojnë se në atë vend sundonte trishtimi, zymtësia dhe hidhërimi. Njerëzit vdisnin nga trishtimi. Vdisnin pleqtë, burrat dhe gratë, të rinjtë dhe fëmijët. Të gjithë vdisnin në atë vend që sundonte një tiran shpirtzi.
Por, një ditë, një burrë që kishte të vizatuar buzëqeshjen në fytyrë, takoi një grua e cila edhe ajo po buzëqeshte. Dhe, të dy shkuan në pyll, ku, natën me hënë të plotë, hungërinin jaguarët.
Atje në pyll, atyre u lindi një fëmijë, i cili u rrit pa e njohur urdhrin e tiranit. Dhe, një ditë, ky fëmijë doli nga pylli dhe ia dha gazit. Qeshi me të madhe, me gjithë shpirt. Qeshi e me aq forcë sa fëmijët e tjerë, të cilët rrinin të zymtë në atë vend ku e qeshura ishte e ndaluar, me të dëgjuar atë të qeshur, papritur, në kujtesën e tyre u kthyen jehonat e qeshjeve dhe nuk e përmbajtën dot veten e ia dhanë të qeshurit.
Dhe, të qeshurën e fëmijëve e dëgjuan të rinjtë, të cilët ndien sikur diçka po i guduliste brenda universit të tyre. Atëherë, edhe ata s’u përmbajtën dot dhe nisën të qeshin me të madhe.
Qeshja e të rinjve u dëgjua nga burrat dhe gratë që ende qëndronin në mbretërinë e trishtimit. Por, me të kujtuar qeshjen, kujtuan fushat dhe lumenjtë, peshqit që kapnin, lulet dhe puthjet, i pushtoi gëzimi, kënaqësia, dhe filluan të qeshnin. As pleqtë nuk e mbajtën dot të qeshurën, kur dëgjuan se të gjithë po qeshnin. E qeshura u shpërthente së thelli, nga zemra.
Qeshnin të gjithë, pleqtë, burrat, gratë, të rinjtë dhe fëmijët. Ishte një shpërthim gazi që u përhap si një valë e fuqishme dhe shkoi e u përplas te pallati i tiranit.
Dhe, e qeshura e madhe e të gjithëve e shembi dhe e bëri copë-copë pallatin dhe zemrën e gurtë të tiranit.


