Helmi i Drenicës
Në kodrën përballë fabrikës së Feronikelit, që dikur e formonte dheu, tash ka zënë vend skoria, mbetjet industriale të fabrikës. Mbi këtë kodër artificiale, nuk ka mbetur asnjë lis, e as gjelbërim. Madje edhe dheu që ishte dikur, është tretur. Vendin e tij, tash e ka zënë bërlloku i fabrikës.
Pluhuri i zi që është formuar si pasojë e hedhjes së mbetjeve industriale nga punëtorët e Feronikelit, ka filluat t’i shqetësojë edhe banorët.
Shtëpia e Vlora Morinës është shumë pranë kodrës mbi të cilën hidhen mbetjet e rrezikshme industriale të fabrikës. Pothuajse çdo mëngjes, kësaj gruaje i duhet që së pari të pastrojë hirin e zi që i futet brenda në shtëpi, e pastaj të merret me dy vajzat e saj. Kjo gjendje ka filluar të bëhet e padurueshme për të. “Nuk guxoj kurrë t’i hap dritaret e shtëpisë sepse përndryshe e pësoj”, thotë Vlora për Express.
Ajo tregon se nuk ndodh kurrë që të kalojë një ditë e ajo të mos jetë e detyruar t’i fshijë pluhurat e shtëpisë. “Çdo ditë më duhet ta fshij shtëpinë. Pavarësisht se xhamat rrinë mbyllur, të gjitha orenditë mbushen me copa të ima si lloj metali”, pohon kjo grua.
Megjithatë, ajo thotë se do ta përballonte larjen e fshirjen e përditshme, sikur skoria të mos ishte e rrezikshme. Ajo tregon se si pasojë e saj, dy vajzat tashmë kanë filluar të kenë probleme me shëndetin.
“Nuk po mërzitem për vete e për burrë, por vajzat që kanë filluar të kenë problem me frymëmarrje”, tregon Vlora, për çka thotë se fajin kryesor e ka skoria. /Telegrafi/


