Please enter at least 3 characters.

Haziri: Ibrahim Rugova e Ramiz Alia kishin marrëveshje për përgatitjen e celulave të para ushtarake të Kosovës

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në një marrëveshje me presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Ramiz Alia, për krijimin e celulave të para të strukturave të armatosura të Kosovës.

Në një lidhje direkte në Debat Plus në TV Dukagjini, Haziri tha se më 2 shtator 1990 është ngarkuar personalisht me organizimin e celulave të para për përzgjedhje, përgatitje dhe dërgim të të rinjve në trajnim ushtarak në Shqipëri, në kuadër të kësaj marrëveshjeje.

“Është e vërtetë që më 2 shtator 1990 jam ngarkuar me organizimin e celulave të para që kanë pasur për qëllim përzgjedhjen, përgatitjen dhe dërgimin e njerëzve në përgatitje ushtarake në Shqipëri, sipas një marrëveshjeje mes presidentit Rugova dhe presidentit Ramiz Alia”, deklaroi Haziri.

Sipas tij, zbatimi i këtij plani është menaxhuar më vonë nga autoritete të tjera, ndërsa në terren kanë qenë të përfshirë figura të njohura si Afrim Gagica dhe Sali Çeku, i shpallur Hero i Kombit.

Haziri theksoi se përzgjedhja e të rinjve është bërë në mënyrë shumë të kujdesshme në secilën zonë dhe komunë, nga autoritete të caktuara, ndërsa trajnimet janë zhvilluar në Shqipëri mbi bazën e përvojës së shtetit shqiptar në rekrutimin dhe përgatitjen ushtarake.

Duke folur për rolin e Shqipërisë, Haziri bëri të ditur se ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Irakli Koqollari, ka qenë autoriteti i parë që ka implementuar këtë plan.

“Ai ka qenë autoriteti i parë që e ka implementuar këtë plan”, u shpreh Haziri.

Deklarimet e Hazirit vijnë pas publikimit të audio-incizimeve në emisionin Debat Plus, të cilat, sipas tij, hedhin dritë mbi përfshirjen e Rugovës në fazat e hershme të organizimit të rezistencës për çlirimin e Kosovës.

Ndërkohë, moderatori Ermal Panduri ka bërë të ditur se Koqollari do të flasë për këtë temë më 3 shkurt në Debat Plus, ku pritet të publikohen detaje shtesë nga dosja në fjalë.