Please enter at least 3 characters.

Haxhiu dorëzon ankesë në Gjykatën Supreme, kërkon rinumërim të votave

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot një ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me procesin zgjedhor, duke kërkuar rinumërimin e votave preferenciale të kandidatëve për deputetë të kësaj partie.

Në një prononcim për Telegrafin, Haxhiu ka deklaruar se vendimi për t’iu drejtuar Gjykatës Supreme vjen pas zhvillimeve të fundit në procesin e numërimit të votave.

“Pasi që rinumërimi i urdhëruar nga KQZ provoi pasaktësi në numërimin në QKN, dhe refuzimit të ankesës nga PZAP e cila në arsyetim e pranon se ka pasaktësi në rinumërim por nuk urdhëroi rinumërim, kam dorëzuar zyrtarisht ankesën në Gjykatën Supreme lidhur me procesin zgjedhor, duke kërkuar rinumërimin e votave preferenciale të kandidatëve për deputetë të PDK-së”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ky hap është ndërmarrë me qëllim garantimin e transparencës së plotë në proces dhe sigurimin që çdo votë të numërohet saktë, ashtu siç është hedhur nga votuesit në kutitë e votimit.

“Besoj fuqishëm se integriteti i votës është themeli i demokracisë dhe çdo dyshim apo parregullsi duhet të trajtohet me kujdes dhe përgjegjësi institucionale”, është shprehur Haxhiu.

Ai gjithashtu ka theksuar se pret që institucionet përkatëse të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të reflektohet saktë në rezultatet përfundimtare. /Telegrafi/