Hajvalia dy ndeshje jashtë terrenit të saj, Munishi një muaj dënim
Dënimet më të renda kanë shkuar në adresë të ndeshjes mes Hajvalisë dhe Trepça përkatësisht Llamkos Kosova-Feronikeli.
Hajvalia për shkak të lëshimeve në organizimin e ndeshjes, ku shikuesit u futën në fushë dhe i sulmuan mysafirët, do të jetë e detyruar t’i zhvillojë dy ndeshje jashtë terrenit të saj, ndërkaq trajneri i kësaj skuadre Synaj Keçi dhe ndihmëstrajneri i Trepçës, Fidaim Haxhiu, për shkak të sjelljeve josportive u gjobitën me nga 250 euro.
KD është treguar i pamëshirshëm edhe ndaj trajnerit të Llamkos Kosovës, Ismet Munishit, i cili është dënuar me një muaj mos ushtrim të detyrës së trajnerit të vushtrriasve, kurse lojtari i Llamkos Kosovës, Faruk Statovci është dënuar me 250.
Më një muaj me mosushtrim të detyrës është dënuar edhe ndihmëstrajneri i Hajvalisë, Agim Maliqi, sikurse edhe vëzhguesi i kësaj ndeshjeje, Jakup Ramadani, për mos përshkrim të detajeve.
Kurse me nga tri ndeshje moslojë janë dënuar futbollistët Gëzim Gashi i Hajvalisë dhe Lavdim Balija, Shpëtim Babaj e Liridon Voca të Trepçës. /KP/


