Please enter at least 3 characters.

Granit Xhaka, lider i lindur - fjalët e tij shkundën ekipin zviceran

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka ngritur shqetësime të forta pas ndeshjes së fundit miqësore para Kupës së Botës, pas barazimit të zbehtë 1-1 ndaj Australisë.

Mesfushori shqiptar u shfaq i zhgënjyer me paraqitjen e ekipit dhe bëri një deklaratë të drejtpërdrejtë, duke paralajmëruar për rrezikun që i pret në turne.

“Duhet t’i shtrëngojmë frenat, përndryshe mund të shkojmë në shtëpi pas tre ndeshjesh. Nuk mund të luash kështu, me gjithë respektin e duhur”, u shpreh Xhaka pas ndeshjes.

Deklarata e tij shkaktoi reagime të shumta brenda kampit zviceran, por edhe mbështetje nga bashkëlojtarët, të cilët e interpretuan si një “thirrje zgjimi” në momentin e duhur para fillimit të turneut.

“Është përgjegjësia e Xhakës të flasë hapur”

Presidenti i Federatës Zvicerane të Futbollit (SFV), Peter Knabel, ka dalë në mbrojtje të kapitenit në emisionin “Heimspiel bei der Nati”, duke theksuar rolin e tij si lider i skuadrës.

“Është puna e Xhakës – ose edhe përgjegjësia e tij, t’i adresojë gjërat qartë. Ai e ka përmbushur këtë rol”, u shpreh Knabel.

Ai shtoi se Xhaka ka qenë gjithmonë një lojtar me personalitet të fortë që nga koha e tij te Basel dhe se kjo nuk është hera e parë që ai flet hapur për problemet brenda ekipit.

Mbështetje brenda ekipit, ndërsa analistët e vlerësojnë për emocionet

Edhe lojtarët e tjerë të Zvicrës kanë reaguar pozitivisht ndaj deklaratave të kapitenit, duke e ditur se ndeshja ndaj Australisë nuk ishte e duhura.

Michel Aebischer i konsideroi fjalët e tij si një sinjal të rëndësishëm alarmi, ndërsa Silvan Widmer theksoi se atmosfera në skuadër është në rritje intensiteti ndërsa afrohet turneu.

Komentatorët dhe drejtuesit e futbollit zviceran e kanë përshkruar Xhakën si një lider emocional, por të respektuar brenda grupit.

Andreas Böni nga blue Sport tha se kapiteni “ndonjëherë shpërthen si raketë, por qetësohet shpejt”, duke e cilësuar megjithatë si një nga liderët më të rëndësishëm të ekipit kombëtar.

Deklaratat e Xhakës vijnë në një moment kritik për Zvicrën, vetëm pak ditë para se Zvicra të nis Kupën e Botës, ndërsa drejtuesit e federatës i konsiderojnë ato si një sinjal të nevojshëm për zgjim dhe përmirësim të menjëhershëm të ekipit. /Telegrafi/