Gjykata Supreme merr vendim lidhur me dy ankesat e LVV
Kolegjet e Gjykatës Supreme, në seancat e mbajtura sot, kanë shqyrtuar dy ankesa të paraqitura nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të cilat kishin të bënin me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në lidhje me pretendimet për parregullsi gjatë ditës së votimit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Në rastin e parë, me numër lënde AA.nr.106/2025, Gjykata Supreme ka hedhur si të palejuar ankesën e paraqitur nga LVV kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.221/2025, të datës 17 tetor 2025. Gjykata ka konstatuar se për të njëjtën çështje tashmë ishte vendosur më herët me aktgjykimin AA.nr.95/2025, të datës 23 tetor 2025, si dhe se ankesa e re ishte parashtruar pas afatit ligjor të përcaktuar.
Në rastin e dytë, me numër lënde AA.nr.107/2025, kolegji gjyqësor ka refuzuar si të pabazuar ankesën e LVV-së kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.358/2025, të datës 29 tetor 2025.
Sipas Gjykatës Supreme, vendimi i PZAP-së është marrë në përputhje me ligjin, pasi ankesa e LVV-së ishte e pasafatshme, duke qenë se nuk ishte dorëzuar brenda afatit prej 48 orësh të përcaktuar me nenin 118 të Ligjit nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Në të dy rastet, Gjykata Supreme ka theksuar rëndësinë e respektimit të afateve ligjore dhe procedurave të përcaktuara, si garanci për zbatimin e drejtë dhe të barabartë të së drejtës zgjedhore për të gjithë pjesëmarrësit në proceset zgjedhore.


