Please enter at least 3 characters.

Gjykata amerikane vendos: Trump nuk ka imunitet presidenti, mund të ndiqet penalisht për kaosin në vitin 2020

2024/02/1-65.jpg

Donald Trump nuk ka imunitet presidenti dhe mund të ndiqet penalisht nën akuzat për komplot për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, u tha në verdiktin e gjykatës në Washington DC.

Siç raporton BBC, Trump ka argumentuar në një çështje ligjore historike se ai është i imunizuar nga akuzat penale. Megjithatë, aktgjykimi e hodhi poshtë kërkesën në fjalë.

Është një pengesë për Trumpin, i cili ka kërkuar imunitet presidencial për vite me radhë ndërsa përballet me akuza në shumë raste.

Ish-presidenti pritet të apelojë vendimin, që do të thotë se çështja mund të shkojë përfundimisht në Gjykatën e Lartë, ku konservatorët kanë një shumicë 6-3, shkruan BBC.

Prokurori special amerikan Jack Smith akuzoi Trump, 77 vjeç, për komplot për të përmbysur fitoren e Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020, dhe për mashtrim për të qëndruar në detyrë.

Gjykimi në atë rast fillimisht ishte caktuar për 4 mars, por u shty deri në marrjen e vendimit për kërkesën për imunitet.

Mund të ketë një vonesë tjetër nëse çështja përfundon në Gjykatën e Lartë. Në fillim të këtij muaji, një panel gjyqtarësh dëgjuan çështjen në Gjykatën e Apelit të Qarkut në Washington D.C.

Argumenti i avokatit të Trump bazohej në idenë se një president që nuk është fajësuar nga Kongresi, nuk mund t'i nënshtrohet procedimeve penale.

Ai vuri në dukje se Trump u fajësua nga Dhoma e Përfaqësuesve, por Senati nuk e konfirmoi vendimin e përmendur.

Megjithatë, gjyqtarët dukeshin skeptikë. Gjykatësja Florence Pan sugjeroi që, me imunitet, presidenti mund të shiste sekrete shtetërore ose të urdhëronte vrasjen e një rivali politik pa frikën e ndjekjes penale. /Telegrafi/