Please enter at least 3 characters.

Gjithçka që duhet të dini për finalen e madhe të Eurovision Song Contest 2026

Finalja e madhe e Eurovision Song Contest 2026 mbahet sonte, duke sjellë edhe kulmin e një prej spektakleve më të ndjekura muzikore në Evropë.

Pas dy netëve gjysmëfinale dhe muajsh përgatitjesh, 25 shtete do të ngjiten në skenë për të garuar për trofeun e edicionit të sivjetmë.

Spektakli nis në ora 21:00 sipas kohës lokale evropiane dhe pritet të ndiqet nga miliona shikues në mbarë botën.

Finalen mund ta ndiqni drejtpërdrejt përmes transmetimit në YouTube në faqen zyrtare të Eurovisionit.

Organizatorët kanë publikuar tashmë renditjen zyrtare të performancave për natën finale.

Shqipëria, e përfaqësuar këtë vit nga artisti shkodran Alis Kallaci me këngën “Nan”, do të performojë e pesta me radhë. Numri 5 do të shërbejë njëkohësisht edhe si kod për votim gjatë spektaklit.

Kënga “Nan” ka tërhequr vëmendje të madhe për mesazhin emocional dhe interpretimin prekës që trajton mallin e nënës për fëmijët në mërgim. Shqipëria siguroi finalen pas një performance të suksesshme në gjysmëfinalen e dytë, ndërsa performanca e Alisit ka marrë miliona shikime në llogarinë zyrtare të Eurovisionit në Instagram.


Votimi do të hapet gjatë spektaklit dhe publiku do të mund të votojë përmes SMS-ve dhe thirrjeve. Shqiptarët në diasporë do të kenë mundësinë të votojnë për Shqipërinë nga vendet ku jetojnë.

Megjithatë ekziston edhe një metodë tjetër e votimit për vendet jo pjesëmarrëse. Për shembull banorët që jetojnë në Kosovë do të mund të votojnë përmes metodës online, përmes uebfaqes Esc.vote, madje duke filluar nga tani. Kjo metodë votimi vlen për të gjithë ndjekësit e spektaklit nëpër botë.

Në fund të mbrëmjes, pas votave të jurive dhe publikut, do të shpallet fituesi i Eurovision Song Contest 2026.