Gjilani i jep fund problemit me qentë endacakë, Hyseni: Qytetarët do të ndihen më të sigurt
Problemi shumëvjeçar me qentë endacakë në Komunën e Gjilanit po shkon drejt zgjidhjes përfundimtare.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka deklaruar se trajtimi i qenve në strehimore tashmë ka dhënë rezultatet e para, duke siguruar një mjedis më të qetë dhe të sigurt për qytetarët.
Sipas Hysenit, qentë endacakë kanë përbërë një sfidë të madhe për Gjilanin, por me hapjen dhe funksionalizimin e strehimores komunale, situata është vendosur nën kontroll.
“Përmes strehimores po kujdesemi që kafshët të trajtohen me dinjitet, të kenë kujdesin e nevojshëm dhe qytetarët tanë të ndihen më të sigurt në çdo lagje. Bashkë për sigurinë e qytetarëve dhe për mirëqenien e kafshëve”, ka theksuar kryetari Hyseni.
Komuna e Gjilanit njofton se procesi i trajtimit të qenve endacakë do të vazhdojë edhe në muajt në vijim, deri në zgjidhjen e plotë të problemit. /Telegrafi/


