Please enter at least 3 characters.

Gjermani: Shpallet i pafajshëm burri që e quajti një kryeministër rajonal “prostitutë e rublës”

Gjykata e Qarkut në Osnabrück të Gjermanisë ka shpallur të pafajshëm një 57-vjeçar, i cili ishte akuzuar për fyerje ndaj figurave të larta politike në platformën sociale X. Gjykata vendosi se liria e shprehjes në këtë rast kishte përparësi ndaj mbrojtjes së të drejtave personale të politikanëve, duke përcaktuar se fjalët e përdorura përbënin kritikë politike dhe jo fyerje që mund të dënohej.

Rasti bazohej në pesë postime të bëra mes korrikut 2023 dhe prillit 2024 nga një person me emrin Gerhard Torges, profili i të cilit ishte denoncuar pranë autoriteteve përmes zyrave të monitorimit të rrjetit. Në një prej postimeve të marsit 2024, ai kishte shkruar hashtagun “prostitutë e rublës” (#Rubelnutte) drejtuar kryeministrit të landit të Saksonisë, Michael Kretschmer nga partia CDU, duke përdorur edhe një “emoji” që vjell. Kretschmer kritikohet shpesh për shkak të qëndrimeve proruse.

Me të njëjtin cilësim Torges ai kishte etiketuar edhe kreun e partisë së djathtë AfD në krahinën e Thüringenit, Björn Höcke, ndërsa politikanë të tjerë të kësaj partie të djathtë i kishte quajtur “nazistë”.

Prokuroria e Göttingenit i kishte dërguar fillimisht 57-vjeçarit një urdhër penal për pagesën e një gjobe, duke u mbështetur në paragrafin 185 të Kodit Penal për fyerje të thjeshtë. Megjithatë, gjykata e rrëzoi këtë kërkesë. Në arsyetimin e vendimit u sqarua se këto deklarata ndërlidheshin drejtpërdrejt me veprimtarinë dhe qëndrimet politike të zyrtarëve në fjalë. Sipas trupit gjykues, politikanët e AfD-së duhet ta pranojnë emërtimin “nazistë” në kuadër të debatit publik, ashtu siç edhe kryeministri Kretschmer duhet të tolerojë shprehjen e përdorur ndaj tij, për sa kohë që ajo lidhet me kontekstin e politikave të tij dhe jo me jetën private./Telegrafi/