Please enter at least 3 characters.

Gjermanët rrëfejnë orët e tmerrit në stadium

2016/01/gjerman-euml-t-rr-euml-fejn-euml-or-euml-t-e-tmerrit-n-euml-stadium_hd.jpg

Dy ditë janë pak për gjermanët të kthjellohen pas horrorit. Por, megjithatë, ata kanë sakrifikuar për t’i dhënë frymë paqes, demokracisë dhe solidaritetit.

Gazeta gjermane “Bild” ka hedhur dritë mbi të premten e zezë të 13 nëntorit, mbi orët e tmerrit që përjetuan gjermanët dhe francezët brenda në stadium.

“Ishte një natë stresuese. Të gjithë patëm shqetësime”, tha Podolski. Pas ndeshjes, lojtarët gjermanë mësuan mbi ngjarjen ku Parisi u godit në 6 pika nga kamikazë dhe terroristë. Sipas zyrtarit francez Tierri Braijard, ata tentuan të hynin edhe në stadium.

“Në dhomat e zhveshjes mësuam çfarë po ndodhte. Të gjithë u frikësuam dhe direkt morëm telefonat për të informuar njerëzit tanë”, rrëfen menaxheri Bierhof.

Mësohet se në dhomat e zhveshjes, 70 metra katrorë, u mblodhën bashkë 60 veta. “Të shumtët nuk fjetën, por donin të informoheshin minutë pas minute për të kaluar stresin e akumuluar”, dëshmon presidenti i federatës, Raubal. Edhe kombëtarja franceze qëndroi në stadium dhe u solli gjermanëve kuverta për të qëndruar ngrohtë. Për të ngrënë kishte vetëm hotdog dhe sanduiçë.

Shefi i sigurisë së federatës gjermane, Henderik Grose, kontaktoi me shtabin e emergjencës. Edhe presidenti francez Holande, së bashku me ministrin e Jashtëm gjerman, Frankf-Valter Shtajnmajer, qëndruan në stadium, më pas zbritën në qytet. Në orën 01:30, kancelarja Angela Merkel telefonon menaxherin Oliver Bierhoff.

Në orën 02:15, u përhap lajmi fals që gjermanët duhet të linin stadiumin. Një manovër për arsye sigurie. Kombëtarja gjermane e gdhiu deri në orën 07:00 të mëngjesit. Vetëm dy presidentët e federatës, Rainer Koh dhe Raubal shkuan në hotelin “Molitor” për të marrë pasaportat, portofolat dhe sende të tjera me vlerë.

Ndërsa gazetarët braktisën stadiumin në orën 02:45 me autobus, të shoqëruar me polici deri në hotel. “Na duhej të kalonim një rrugë pas stadiumit ku u përfol se ishte fshehur një bombë me gaz”, rrëfen reporteri i “Bild”, Matias Myler, në Paris. Në mëngjes, kombëtarja dhe gazetarët u shoqëruan me eskortë policie deri në aeroport.

Valixhet e lojtarëve u morën në hotele nga shërbimi i sigurisë së federatës. Në orën 09:00, avioni i “Lufthansas” niset për në Frankfurt. Udhëtimi ishte organizuar nga presidenti i federatës Raubal dhe ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Tomas de Maiziere.