Please enter at least 3 characters.

Garë mes Tottenham, Man Utd dhe Aston Villa për mesfushorin e Atletico Madridit

Conor Gallagher është shumë pranë rikthimit në Ligën Premier, mesfushori anglez, i transferuar te Atletico Madrid në verën e vitit 2024 nga Chelsea për më shumë se 40 milionë euro, pritet të largohet nga “Metropolitano” vetëm disa muaj pas mbërritjes së tij.

Pavarësisht pritshmërive të larta, Gallagher nuk ka arritur të përshtatet plotësisht me skemën e Diego Simeones, çka ka bërë që klubi madrilen të jetë i hapur për shitjen e tij në këtë afat kalimtar dimëror.

Interesi për 24-vjeçarin ka qenë i madh nga Liga Premier, me disa prej klubeve kryesore që kanë ndjekur nga afër situatën e tij.

Aston Villa ka qenë prej kohësh e interesuar, por kapaciteti financiar i klubit nuk i lejon të konkurrojë ofertat më të mëdha.

Në garë janë futur gjithashtu Manchester United dhe Tottenham, dy prej klubeve me potencial të madh ekonomik që kërkojnë përforcime për të përmirësuar një sezon deri tani zhgënjyes.

Tottenham duket se ka fituar betejën, klubi londinez ka paraqitur një ofertë prej 40 milionë eurosh, e cila është pritur pozitivisht nga drejtuesit e Atletico Madrid.

Për më tepër, “Spurs” i kanë ofruar Gallagher një pagë më të lartë, faktor vendimtar në mbylljen e marrëveshjes.

Nëse nuk ka surpriza të minutës së fundit, transferimi pritet të finalizohet në ditët në vijim, duke i dhënë fund aventurës së shkurtër të Gallagher në La Liga dhe duke e rikthyer atë në kampionatin anglez. /Telegrafi/