Please enter at least 3 characters.

FOUR PAWS: Deponitë e mbeturinave po ushqejnë rritjen e qenve endacakë në Kosovë, mbi 100 qen u sterilizuan në Podujevë

Foto: Four Paws

Organizata globale për mirëqenien e kafshëve “FOUR PAWS”, në bashkëpunim me veterinerin partner lokal Albatrit Halili, ka realizuar një operacion dyjavor në deponinë e Podujevës, ku janë sterilizuar, vaksinuar dhe trajtuar më shumë se 100 qen endacakë, në kuadër të programit Kapje–Sterilizim–Vaksinim–Kthim (CNVR).

Sipas FOUR PAWS, deponitë e mbeturinave në mbarë Kosovën janë shndërruar në pika kryesore grumbullimi të qenve të braktisur dhe endacakë, pasi aty gjendet lehtësisht ushqim i hedhur, ndërsa këto hapësira – shpesh të parrethuara – përdoren si vende ku braktisen kafshët shtëpiake dhe këlyshët e padëshiruar.

“Është e trishtë të shohësh se si pronarët i hedhin kafshët e tyre në deponi, kur kafsha e tyre dikur e dashur bëhet e padëshiruar. Të rrethuar nga mbeturinat, ata mbijetojnë vetëm duke kërkuar ushqim nëpër mbeturina dhe duke luftuar çdo ditë për jetën e tyre”, ka deklaruar Manuela Rowlings, përgjegjëse për programet për kafshët endacake në FOUR PAWS.

Ajo ka theksuar se qentë në deponi jetojnë në kushte të rënda dhe josanitare, pa qasje në ujë të pijshëm të pastër apo strehim, ndërsa shpesh janë të lënduar dhe të ekspozuar ndaj temperaturave ekstreme dhe kushteve atmosferike.

FOUR PAWS vlerëson se popullata e qenve endacakë në Kosovë mbetet shumë e lartë, me një normë mesatare sterilizimi prej vetëm 11 për qind. Sipas të dhënave të publikuara nga organizata, mbi 50,600 qen enden nëpër rrugë, ndërsa popullata më e madhe e qenve endacakë gjendet në rajonin e Prishtinës.

Organizata ka bërë të ditur se një studim i viteve 2024-2025, i realizuar nga FOUR PAWS në partneritet me Kosovar Animal Rights Foundation, ka konstatuar se Prishtina është rajoni me numrin më të madh të qenve endacakë në Kosovë, me një vlerësim prej rreth 11,300 qensh.

Në Podujevë – komunë që bën pjesë në rajonin e Prishtinës – FOUR PAWS thotë se vlerësohet që rreth 3,000 qen jetojnë në rrugë, që sipas organizatës korrespondon me rreth 42 qen endacakë për çdo 1,000 banorë. Për këtë arsye, organizata bën të ditur se që nga viti 2024 ka intensifikuar punën në këtë komunë me aktivitete të rregullta CNVR, në bashkëpunim me veterinerin partner.

Rowlings ka bërë thirrje që programet e menaxhimit të qenve endacakë të mos mbeten të fragmentuara dhe të kufizuara vetëm në nivel lokal.

“Qentë endacakë në Kosovë kanë nevojë urgjente për mbështetje. Operacionet CNVR, si ai në Podujevë, luajnë një rol vendimtar në stabilizimin e popullatave dhe reduktimin e vuajtjeve. Megjithatë, ndikimi i komunave individuale është i kufizuar. Ne u bëjmë thirrje të gjitha komunave në Kosovë që të zbatojnë programe gjithëpërfshirëse për menaxhimin e popullatës së qenve, të bazuara në të dhëna të besueshme, përfshirje të fortë të komunitetit dhe pronësi të përgjegjshme të kafshëve shtëpiake”, ka thënë ajo.

Për të mbështetur komunat, FOUR PAWS njofton se, bashkë me Animal Rights Foundation, po organizon punëtori për menaxhimin e popullatës së qenve në të gjitha shtatë rajonet e Kosovës. Sipas organizatës, dy punëtori janë mbajtur tashmë në rajonet e Pejës dhe Prizrenit, nga 19 deri më 22 maj, ku janë ndarë gjetjet e studimit dhe rekomandime për hartimin e planeve të veprimit të përshtatura për secilën komunë.

VIDEO: https://fourpaws.box.com/s/i3npp1gupv7mnf3ry5w79qrgq72liyeg

/Telegrafi/