Please enter at least 3 characters.

Fillon vaksinimi nga ajri kundër sëmundjes së tërbimit të kafshëve të egra, AUV: Kujdes nëse hasni vaksinat e hedhura nga ajri

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton se ka filluar fushata vjeshtore e vaksinimit nga ajri të kafshëve të egra kundër sëmundjes së tërbimit.

Në njoftim thuhet se vaksinimi realizohet përmes shpërndarjes së vaksinave nga ajri në zonat e përcaktuara, ndërsa monitorimi i procesit bëhet nga inspektorët veterinarë të AUV-së në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

“Rekomandojmë qytetarët të jenë të kujdesshëm në rast se hasin vaksinat e hedhura nga ajri. Në veçanti, u bëjmë thirrje familjeve me fëmijë që jetojnë në zonat ku kryhet shpërndarja e vaksinave, që t’i udhëzojnë fëmijët të mos i prekin kapsulat e vaksinave, pasi ato janë të destinuara vetëm për kafshët e egra”, thuhet në njoftim.

Fushata është pjesë e masave të parandalimit të përhapjes së tërbimit dhe synon mbrojtjen e shëndetit publik dhe atij veterinar.

Për çdo informacion shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. /Telegrafi/