Please enter at least 3 characters.

Fillon sanimi i rrugës në Carralevë, investim mbi 240 mijë euro

Kanë nisur punimet për sanimin dhe stabilizimin e rrugës në fshatin Carralevë, në komunën e Shtimes, që lidh këtë komunë me atë të Prizrenit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës, kontrata është lidhur për projektin “Ri-tender Stabilizimi i rrëshqitjes në rrugën Nacionale N25, segmenti Shtime–Prizren, lokacioni Carralevë në stacionazhën 2+690 – 2+768”, dhe tashmë ka filluar realizimi i punimeve në terren.

Nga të dhënat zyrtare të prokurimit, aktiviteti është iniciuar më 27 shkurt 2026, ndërsa hapja e tenderëve dhe publikimi i njoftimit për dhënie kontrate janë bërë më 3 prill 2026.

Afati për dorëzimin e ofertave ka qenë me procedurë normale dhe për këtë tender janë pranuar gjithsej 3 oferta, prej të cilave 1 është konsideruar e përgjegjshme.

Kontrata është nënshkruar më 7 prill 2026 me operatorin ekonomik “K.N.P.SH. Papenburg & Adriani Company SH.P.K.”, me seli në Lipjan dhe do të zgjas për 65 ditë.

Vlera e përgjithshme e kontratës arrin në 242 mijë e 394 euro, që njëkohësisht përfaqëson edhe ofertën fituese me çmimin më të ulët.

Projekti financohet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës dhe nuk parashihet nënkontraktim.

Punimet synojnë të rregullojnë dëmtimin e rrugës dhe eliminimin e rrezikut nga rrëshqitjet, duke rikthyer sigurinë e plotë për qarkullimin në këtë segment të rëndësishëm rrugor.

Nga ministria theksohet se ky intervenim është pjesë e angazhimeve për reagim të shpejtë dhe përmirësim të vazhdueshëm të infrastrukturës rrugore në vend. /Telegrafi/