Please enter at least 3 characters.

Fëmijët rrinë shumë online dhe rrezikohen nga dhuna, Shahini dhe Aliu-Ahmeti flasin për nevojën urgjente të edukimit medial

Blerta Aliu Ahmeti e Samir Shahini
Foto: Ridvan Slivova

Edukimi medial duhet të jetë pjesë funksionale e sistemit arsimor në Kosovë, për t’u mundësuar fëmijëve dhe të rinjve zhvillimin e mendimit kritik dhe dallimin e informacionit të saktë nga dezinformimi.

Kjo u theksua në episodin e ri të “Përballje Podcast”, ku u diskutua për rolin e shkollave, institucioneve dhe shoqërisë në epokën digjitale.

Blerta Aliu- Ahmeti nga Iniciativa për Fuqizimin e Arsimit bëri të ditur se fëmijët në Kosovë kalojnë mesatarisht rreth tri orë në ditë në media digjitale, kryesisht për argëtim.

- YouTubewww.youtube.com

“Shumë pak raste kemi kur teknologjia përdoret për mësim apo zhvillim, ndërsa ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme dhe dhunës online po rritet”, tha ajo shkruan Telegrafi.

Aliu- Ahmeti theksoi se, ndonëse edukimi medial është pjesë e kurrikulës që nga viti 2016, “zbatimi praktik në shkolla ka qenë minimal”, kryesisht për shkak të mungesës së trajnimeve për mësimdhënësit.

Blerta Aliu Ahmeti nga EEIFoto: Ridvan Slivova

Ajo shtoi se EEI ka nisur projekt- pilot në bashkëpunim me disa komuna, për të trajnuar mësimdhënësit me mbështetje të ekspertëve nga vendet nordike.

Nga ana tjetër, Samir Shahini, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komuna e Prishtinës, vlerësoi se shoqëria kosovare shpesh e pranon rëndësinë e edukimit medial vetëm në teori.

“Çdo ndryshim përballet me rezistencë, por kjo nuk duhet të na ndalë. Nxënësit sot kanë qasje të pakontrolluar në internet dhe kjo kërkon veprim urgjent”, tha Shahini transmeton Telegrafi.

Sipas tij, teknologjia ka ndikuar edhe në rritjen e konflikteve, bullizmit dhe dhunës mes të rinjve, por “mund të jetë mjet pozitiv vetëm nëse shoqërohet me edukim të duhur”.

Samir Shahini nga Komuna e PrishtinësFoto: Ridvan Slivova

Ai theksoi se Prishtina ka nisur iniciativa konkrete, duke pilotuar mësimin gjithë- ditor dhe përfshirjen e temave si inteligjenca artificiale dhe edukimi medial, pa pritur vendime nga niveli qendror.

Të dy panelistët u pajtuan se edukimi medial është edhe investim për demokracinë, pasi në kohën e dezinformimit dhe përmbajtjeve të manipuluara, ndërtimi i mendimit kritik që nga mosha e hershme është thelbësor për shoqërinë kosovare.

Ky ishte episodi e gjashtë i serisë “Përballje Podcast” (Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), ku diskutohen tema kundër dezinformimit, inteligjencën artificiale, edukimin medial, sigurinë kibernetike etj. /Telegrafi/