Please enter at least 3 characters.

Fantazmat e vitit 1938 që përndjekin Ngushticën e Tajvanit

Ilustrim

Linas Garsys / The Washington Times

Nga: Joseph Wu, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Tajvanit (teksti i mëposhtëm është përshtatur nga një fjalim në një aktivitet të organizuar nga Forumi Ndërkombëtar i Oqeanit në fillim të këtij muaji në Tajvan) / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Si këshilltar për sigurinë kombëtare të Tajvanit, nuk e kam luksin ta trajtoj rrezikun gjeopolitik si një abstraksion. Tensionet që po i japin formë rajonit të Indo-Paqësorit kalojnë çdo mëngjes mbi tryezën time. Sonte, duke qëndruar përpara kaq shumë miqve të Tajvanit që kanë zgjedhur të jenë këtu në një kohë tensionesh të vërteta rajonale, ndiej diçka më pranë sigurisë sesa alarmit, sepse vetë prania juaj është një formë parandalimi.

Megjithatë, nuk duhet ta ngatërrojmë qetësinë me sigurinë. Historia ka një zë dhe ajo po na paralajmëron.

Në vitin 1938, bashkësia ndërkombëtare e ktheu vështrimin diku tjetër, ndërsa një fuqi revizioniste kërkonte Sudetenlandin. Udhëheqësit e bindën veten se politika e pajtimit do të blinte paqen. Ata zgjodhën rehatinë në vend të ballafaqimit. E dimë se si përfundoi ajo histori: Heshtja nuk e pengoi luftën. Ajo vetëm ua lehtësoi rrugën agresorëve për të marshuar përpara.

Sot duhet të pyesim nëse po mësojmë nga fantazmat e vitit 1938 apo po i përsërisim ato.

Bota nuk është as paqësore, as e qëndrueshme. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës tregon se fuqitë revizioniste ende do të përdorin forcën për të rivizatuar kufijtë. Lindja e Mesme tregon se sa shpejt një konflikt rajonal mund të metastazojë.

Pranë vendit tonë, Ngushtica e Tajvanit përshkruhet rregullisht si pika më e rrezikshme e nxehtë në botë. Sot nuk ka luftë të hapur, por shkalla dhe rregullsia e aktivitetit ushtarak kinez rreth Tajvanit e bëjnë të pamundur vetëkënaqësinë.

Pyetja e vërtetë nuk është nëse kërcënimi ekziston. Është se për sa kohë mund ta pengojmë kolektivisht atë.

Analizoni faktet. Në çdo ditë të zakonshme, Kina mban pranë Tajvanit pesë deri në gjashtë anije luftarake të marinës dhe dy deri në tri anije të rojës bregdetare. “Patrullimet e përbashkëta të gatishmërisë luftarake”, që zhvillohen çdo javë, testojnë zonën tonë ngjitur prej 24 miljesh detare, të mbështetura prej aeroplanëve luftarakë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore që stërviten për sulme të bashkërenduara ajrore dhe detare.

Disa herë në vit, Pekini e përshkallëzon situatën me stërvitje ku përfshihen deri në 100 aeroplanë dhe tri duzina anijesh luftarake.

Në dhjetor, Ushtria Çlirimtare Popullore lëshoi 27 raketa me rreze të gjatë veprimi në ujërat në Veri dhe në Jug të Tajvanit; disa prej tyre ranë brenda zonës sonë ngjitur. Kjo nuk është hipotetike.

As Tajvani nuk është një objektiv i izoluar. Filipinet përballen çdo ditë me 40 deri në 50 anije ushtarake dhe të rojës bregdetare kineze në Detin e Kinës Jugore, të mbështetura nga qindra mjete lundruese të milicisë detare. Japonia përballon pothuajse çdo ditë shkelje të hapësirës së saj ajrore dhe detare.

Modeli është i pagabueshëm: Kina po stërvitet për një ofensivë të njëkohshme kundër Japonisë, Tajvanit dhe Filipineve, ndërsa po vendos mjete detare në Paqësorin Perëndimor për të simuluar operacione të mohimit të hyrjes kundër Shteteve të Bashkuara.

Një mobilizim i Ushtrisë Çlirimtare Popullore, i kryer pa njoftim paraprak në maj, vendosi më shumë se 100 anije në katër dete njëherësh. Pekini e ka stërvitur vazhdimisht një skenar të tillë, që nga dhjetori i vitit 2024, duke e shndërruar praktikisht Vargun e Parë Ishullor në një teatër të vetëm të integruar.

Ky presion ushtarak shoqërohet me luftë kognitive - keqinformim që vë në pikëpyetje nëse Okinava i përket vërtet Japonisë, apo Ishulli Batan i përket Filipineve - i projektuar për të provuar nëse bota do ta kthejë vështrimin diku tjetër teksa historia përdoret si armë për të justifikuar ndryshimin e territoreve.

Modeli i zgjerimit të ngadaltë nuk është i ri. Në vitin 2012, u ngrit preteksti për shtetëzimin e Ishujve Senkaku. Vitin pasues, u shpall në mënyrë të njëanshme Zona e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore në Detin e Kinës Lindore. Në vitin 2015, u shpall korridori ajror M503 - menjëherë pasi presidenti kinez Xi Jinping i kishte premtuar presidentit Obama, në Kopshtin e Trëndafilave, se nuk do të bënte një gjë të tillë.

Në vitin 2022, Pekini e shpalli të paqenë vijën e mesme të Ngushticës së Tajvanit, duke përdorur si pretekst vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Më pas, në vitin 2024, filloi gërryerja e kufijve detarë rreth Kinmenit dhe Maczusë. Çdo hap e vë në provë vendosmërinë tonë përpara hapit pasues.

Paralelet me mënyrën e veprimit të udhëheqësit rus Vladimir Putin nuk janë rastësi. Rusia fajësoi NATO-n dhe “ekstremistët” në Kiev për një luftë të cilën e nisi vetë. Kina fajëson Tajvanin, Japoninë dhe Filipinet për tensionet që vetë i krijon. Objektiva të ndryshëm, e njëjta logjikë: të rishkruhet realiteti për të legjitimuar shtrëngimin dhe më pas të fajësohet viktima se e provokoi agresorin.

Këto dy fuqi po bashkërendojnë gjithnjë e më shumë veprimet ushtarake në Paqësorin Perëndimor dhe anijet luftarake ruse shfaqen rregullisht pranë Tajvanit gjatë stërvitjeve të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare Popullore - një sinjal se ekspansionizmi autoritar nuk kufizohet më në një rajon të vetëm.

Pikërisht për këtë arsye, presioni ndaj Tajvanit nuk mund të trajtohet si problem i dikujt tjetër. Kur shtrëngimi ka sukses pa pasoja, çdo shtet që mbështetet tek e drejta ndërkombëtare bëhet më pak i sigurt. Si Pekini, ashtu edhe Moska po përballen me trysni të brendshme ekonomike që po rriten. Nëse kjo do të sjellë një shmangie të vëmendjes përmes veprimit të jashtëm, mbetet një pyetje e hapur që nuk mund t'ia lejojmë vetes ta shpërfillim.

Solidariteti demokratik nuk është slogan; është një domosdoshmëri strategjike. Nënkupton bashkëpunim më të thellë, pakësim të varësive strategjike dhe zinxhirë furnizimi më të qëndrueshëm midis vendeve me bindje të njëjta.

Historia ka treguar, që nga Munihu e këndej, se shpërfillja e agresionit të ngadaltë e të njëpasnjëshëm nuk e ruan paqen; ajo vetëm sa e rrit koston e ballafaqimit që, sidoqoftë, përfundimisht do ta kemi. Mësimi nuk është të kërkojmë konflikt. Është ta pranojmë realitetin mjaftueshëm herët për të mos e lënë atë të bëhet i pakthyeshëm.

Prania juaj këtu është tashmë pjesë e këtij angazhimi. /Telegrafi/