Please enter at least 3 characters.

Evropa “mban zi” për Ajaxin: Gjiganti holandez bie një vend dhe rrezikon të mbetet edhe pa gara evropiane

Ajax po përjeton një nga sezonet më të zymta të viteve të fundit. Gjigantët holandezë pësuan edhe një humbje tjetër, këtë herë ndaj Utrechtit (1-2) me gol të pranuar në kohën shtesë, dhe kanë zbritur në vendin e pestë — pozicion që i dërgon vetëm në “play-offin”e Ligës së Konferencës, një skenar i papranueshëm për një klub me peshë historike në futbollin evropian.

“Ky është sezoni më i dhimbshëm që kam përjetuar si lojtar i Ajaxit”, ka thënë Davy Klaassen, kapiteni dhe një nga figurat moderne të klubit, i cili pas dhjetë vitesh te Ajaxi është vetëm gjashtë ndeshje larg paraqitjes së 400-të.

Ai nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes, duke e quajtur një goditje të rëndë faktin që ekipi po endet në zonën e Ligës së Konferencës.

“Nuk duhet të jesh gjeni për ta kuptuar se përbërja e skuadrës ka qenë gabim. Megjithatë, ne duhej ta kishim mbyllur të paktën në vendin e dytë”, u shpreh mesfushori, duke reflektuar mbi një sezon ku, sipas tij, gjërat kanë shkuar në drejtimin e gabuar.

Tre trajnerë në një sezon, blerje pa efekt

Sezoni 2025/26 është shoqëruar me paqëndrueshmëri të theksuar. Ajaxi ka ndërruar tre trajnerë — Heitinga, Fred Grim dhe tashmë Óscar García — por asnjëri nuk ka arritur t’i japë skuadrës një identitet të qartë dhe rezultate të qëndrueshme.

Sipas raportimit, edhe transferimet nuk kanë funksionuar, morali i ekipit ka qenë në pikën më të ulët gjatë gjithë vitit, ndërsa tifozët kanë humbur durimin.

Pas një periudhe ku, nën drejtimin e Fariolit, klubi kishte nisur të ndihej sërish “i rëndësishëm”, atmosfera në Amsterdam është errësuar përsëri.

Dështime edhe në garat e tjera

Problemet nuk janë kufizuar vetëm te liga. Ajaxi u eliminua në mënyrë poshtëruese me 6-0 në fazën e 1/8-ave të Kupës, ndërsa mbeti larg objektivit për t’u kualifikuar në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve.

Me vetëm një ndeshje të mbetur në kampionat, Ajaxi është i pesti, një pikë pas vendit të katërt (që të çon në kualifikimet për Ligën e Evropës) dhe tri pikë pas vendit të tretë (që hap derën e Ligës së Kamponëve ). Ndeshja e fundit është në transfertë ndaj Heerenveen, ku Ajaxi do të tentojë të shmangë “play-off”-et e Ligës së Konferencës.

Kalimi në garën e nivelit të tretë evropian konsiderohet goditje financiare, por edhe më e rëndë do të ishte skenari i mosdaljes fare në Evropë.

Edhe stadiumi problem: Arena e zënë nga koncertet e Harry Styles

Nëse Ajaxi detyrohet të luajë “play-offin” e Ligës së Konferencës, do të përballet me një tjetër telash. Johan Cruijff Arena nuk është rezervuar nga klubi përtej përfundimit të sezonit të rregullt.

Duke nisur nga 16 maji, Harry Styles pritet të mbajë 10 koncerte në stadium (16, 17, 20, 22, 23, 26, 29, 30 maj; 4 dhe 5 qershor), gjë që e bën praktikisht të pamundur zhvillimin e ndeshjeve eliminatore në shtëpi.


Sipas De Telegraaf, ndeshjet ku Ajaxi do të kishte avantazhin e fushës — për shkak të renditjes në vendin e pestë (matematikisht nuk mund të zbresë në të gjashtin) — mund të luhen në Volendam, çka do ta zvogëlonte ndjeshëm avantazhin “si vendas”. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore